Trupat ukrainase në Mariupol kërkojnë të evakuohen në një vend të tretë
Në një apel dramatik, komandanti ukrainas i trupave të mbetura në qytetin port të Mariupolit ka kërkuar evakuimin në një vend të tretë.
“Armiku na tejkalon në raportin 10 me një”, tha Serhiy Volyna, komandanti i Brigadës së 36-të të Marinës së Ukrainës, në një video-mesazh të postuar në Facebook, sot herët në mëngjes.
”I bëjmë thirrje të gjithë liderëve botërorë të na ndihmojnë”, theksoi ai.
”Rusia ka avantazhe në ajër, artileri, forca tokësore, pajisje dhe tanke”, tha Wolyna.
Pala ukrainase po mbron vetëm një vend, uzinën e çelikut ”Azovstal”, ku strehohen edhe civilë përveç ushtrisë.
Volyna kërkoi një “procedurë largimi” për më shumë se 500 ushtarë të plagosur dhe qindra civilë në territorin e një vendi të tretë.
“Ky është apeli ynë për botën”, tha Wolyna.
“Ky mund të jetë apeli i fundit i jetës sonë. Ne ndoshta po përballemi me ditët tona të fundit, nëse jo orët”, shtoi ai.
Qyteti dhe porti konsiderohen kryesisht të shkatërruar.
Së fundmi, sipas informacioneve ruse, rreth 2 500 ushtarë ukrainas dhe 400 mercenarë të huaj u strehuan në uzinën e çelikut.
Sipas raporteve ukrainase, rreth 1 000 civilë thuhet se kanë kërkuar mbrojtje atje.
Rusia u ka bërë vazhdimisht thirrje trupave ukrainase të dorëzohen./ATSH























