Banka Botërore: 60 miliardë dollarë dëmet e deritanishme nga invazioni rus
Bardhyl Bajrami
Dëmet materiale në Ukrainë të shkaktuara nga lufta kanë mbërritur në 60 miliardë dollarë, ka thënë presidenti i Bankës Botërore ndërsa presidenti ukrainas ka thënë se Ukrainës i duhen 7 miliardë dollarë në muaj për t’i kompensuar dëmet ekonomike të luftës.
Sa i përket zhvillimeve në terren, në Mariupol janë vërejtur varreza masive si dhe luftime përgjatë vijës lindore.
Dëmet e shkaktuara ndaj objekteve në Ukrainë dhe infrastrukturës si pasojë e invazionit rus kanë mbërritur në afërsisht 60 miliardë dollarë, ka thënë presidenti i bankës botërore David Malpass.
Ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski ka thënë se Ukrainës i duhen 7 miliardë dollarë në muaj për t’i kompensuar dëmet ekonomike të shkaktuara nga invazioni rus.
Sa i përket një propozimi për armëpushim të mundshëm gjatë vikendit për shkak të pashkëve ortodoks, presidenti ukrainas Zelenski ka njoftuar se Rusia e ka hedhur poshtë një propozim të tillë derisa Moska nuk ka komentuar.
Ndërkohë presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar për një pako tjetër të ndihmës për siguri për Ukrainën në shumën prej 800 milion dollarë.
Sa i përket zhvillimeve në terren, këshilli bashkiak i qytetit port të Mariupolit, ka publikuar disa pamje ku shihen trupat ruse duke i varrosur viktimat civile nëpër varreza masive, informatë kjo e
paverifikuar nga burime të pavarura ndërsa as Moska nuk ka komentuar.
Ndërkohë, ushtria ukrainase ka njoftuar se trupat ruse po vazhdojnë bllokadën e qytetit Kharkiv ndërsa përgjatë tërë vijës së frontit në lindje, gjatë 24 orëve të fundit, ato kanë intensifikuar sulmet, veçanërisht në zonat Zarechny, Rubezhny, Popasnya, Novotoshkovsky dhe Marinka.























