Ballkani fiton tri pikë në tavolinë, gjithnjë më afër titullit
Skuadra e Ballkanit është në rrugë të mirë për t’u konfirmuar kampione e këtij edicioni në Superligën e Kosovës në futboll.
Portokallezinjtë i kanë arkëtuar tri pikë të reja pas ankesës së paraqitur në Komisionin e Garave për ndeshjen e javës së 30-të kundër Ulpianës. Kjo ndeshje në fushën e lojës u mbyll baras 1:1, por më pas klubi nga Suhareka paraqiti ankesë në KG të FFK-së lidhur me parregullësinë e paraqitjes së një lojtari të klubit lipjanas. Dhe kjo ankesë është miratur sot nga ky organ i FFK-së. “Miratohet si e bazuar ankesa e F.C. “Ballkani” nga Suhareka dhe ndeshja e javës së 30-të e BKT Superligës së Kosovës ndërmjet K.F. “Ulpiana 1926” dhe F.C. “Ballkani” e përfunduar me rezultat 1:1, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të F.C. “Ballkani” nga Suhareka”, thuhet një vendimin e KG-së. Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se “sipas protokollit zyrtar lojtari me nr.19 i shënuar në protokoll ka qenë Fabrice Boudega me numër të ID - 01951M98, i cili nuk është aktivizuar në lojë, por në lojë është aktivizuar lojtari me nr. 19 Andi Arifi me numër të ID-015013M03, i cili nuk ka qenë i shënuar – regjistruar në protokollin zyrtar të ndeshjes dhe ky veprim i K.F. “Ulpiana 1926”, ka qenë i palejuar dhe i kundërligjshëm dhe aty ku ka kundërligjshmëri rezultati është nul, prandaj Komisioni i Garave konform nenit 77, pargrafi 2, pika 8 të Rregullores së Garave e miraton ankesën e F.C. “Ballkani’’ si të bazuar”.
Kësisoj tanimë Ballkani ka 66 pikë, madje 11 pikë më shumë se dy ndjekëset më të afërta, Drita dhe Gjilani, kur kanë mbetur edhe 6 xhiro deri në fund të kampionatit.























