Macron ka përsëritur thirrjen: Rusia t’i japë fund luftës në Ukrainë
Ukraina

Macron ka përsëritur thirrjen: Rusia t’i japë fund luftës në Ukrainë

REL

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i tha homologut francez, Emmanuel Macron, se Perëndimi duhet të ndalojë furnizimin e Ukrainës me armë.

Dy liderët biseduan të martën përmes telefonit.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera janë duke e ndihmuar Ukrainën me armatim për t’iu kundërvënë pushtimit rus.

Duke i akuzuar forcat e Ukrainës për “kryerje të krimeve të luftës”, Putin tha se “Perëndimi mund të ndihmojë në ndalimin e këtyre mizorive, duke ushtruar presion të duhur mbi autoritetet e Kievit, si dhe duke ndaluar furnizimin me armë të Ukrainës”.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Kremlini, Putin gjithashtu tha se Kievi nuk është i gatshëm për “bisedime serioze” për t’i dhënë fund konfliktit.

“Pala ruse është ende e hapur për dialog”, citohet t’i ketë thënë Putin Macronit.

Presidenca franceze tha se Macron ka përsëritur thirrjet për Rusinë që t’i japë fund luftës në Ukrainë, ndërsa Putinit i ka kërkuar që të lejojë evakuimin e civilëve nga fabrika e rrethuar e çelikut Azovstal, në qytetin e Mariupolit.

Në dy ditët e fundit, mbi 150 civilë janë evakuuar nga bunkerët nën Azovstal, pas më shumë se dy muajsh të bllokuar atje.

Së paku edhe dhjetëra të tjerë besohet se mbeten ende në bunkerë.

I gjithë Mariupoli, përveç zonës rreth Azovstalit, është nën kontrollin e forcave ruse.

Macron është një nga udhëheqësit e paktë perëndimorë që bisedon me Putinin, qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për konfliktin.

Nga lufta në Ukrainë janë vrarë mijëra njerëz, ndërsa janë zhvendosur mbi 13 milionë.