Liverpooli në finale të `Champions`-it me rikthim spektakular
B.H. / RTKlive.com
Liverpool është kualifikuar në finale të Ligës së Kampionëve. Skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp arriti ta mposhtë në ndeshjen e kthimit Villarrealin, me rezultat 3:2, duke e prekur finalen me rezultat të përgjithshëm 5:2.
Megjithatë, Liverpooli vuajti shumë gjatë pjesës së parë, kur skuadra spanjolle shënoi dy gola, aq sa kishin shënuar edhe anglezët në ndeshjen e parë. Boulaye Dia (3’) dhe Francis Coquelin (41’) shënuan për ekipin e Unai Emeryt. Mirëpo, në pjesën e dytë Liverpooli u paraqit me fytyrë krejt tjetër, duke e arsyetuar epitetin e favoritit. Fabinho shënoi në minutën e 62-të për ta kthyer në lojë Liverpoolin, i cili deri në ato momente ishte inekzistent në fushë. Shifrat i barazoi Luis Diaz, në minutën e 67-të, derisa më pas përmbysjen e rezultatit e kompletoi Sadio Mane, me golin e shënuar në minutën e 74-t.
Ndeshja finale e Ligës së Kampionëve zhvillohet më 28 maj në “Stade de France” në Paris, derisa skuadra e dytë finaliste do të përcaktohet nesërmbrëma në ndeshjen Real Madrid – Manchester City. Ndeshja e parë ishte mbyllur 4:3 në dobi të skuadrës së Pep Guardiolës.























