Reali në finalen e ‘Championsit’, mposht Cityn në një sfidë të ‘çmendur’
Fatmir Bytyqi /RTKlive.com
Real Madridi e ka mposhtur Manchester Cityn, me rezultat 3-1, sonte në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve, në ‘Bernabeu’, dhe me rezultatin e përgjithshëm 6-5, madrilenët kalojnë në finalen e garës më të madhe evropiane.
Dueli mes ‘Los Blancos’ dhe ‘Qytetarëve’, ka prodhuar një ndeshje të ‘çmendur’, sidomos në finish të ndeshjes. Padyshim kjo përballje ishte ndeshja më e madh e këtij sezoni në Ligën e Kampionëve.
Pjesa e parë e këtij dueli, ka prodhuar një super-ndeshje, me raste nga të dy skuadrat, sidomos nga ana e madrilenëve, megjithatë, rrjetat heshtën gjatë 45-minutëshit të parë.
Lojë dramatike dhe tejet interesante është luajtur edhe në fraksionin e dytë.
Ishte Mahrez, i cili në minutën e 73-të heshti ‘Bernabeun’ duke shënuar një supergol për të kaluar Cityn në epërsi prej 0-1.
Megjithatë, skuadra e Carlo Ancelottit nuk u dorëzua, dhe në finish të ndeshjes ia doli që me anë te Rodrygo (90’ dhe 92’), të shënojë dy herë, duke kaluar në avantazh prej 2-1, rezultat më të cilin u mbyll koha e rregullt e kësaj super-sfidë.
Drama e këtij dueli vazhdojë edhe në lojën shtesë. Real Madridi realizoi edhe golin e tretë përmes Karim Benzemas në minutën e 95-të nga penalltia, gol ky që e dërgoi skuadrën ‘merenguese’ në finalen e Ligës së Kampionëve, ku do të ndeshet me Liverpoolin e cila eliminoi mbrëmë Villarealin.























