Finalja e Conference League në Tiranë, vlerësim dhe përgjegjësi
Uran Krasniqi/RTKLive
UEFA ishte përcaktuar prej kohësh që finalja e Conference League do të luhej në Tiranë, por nuk dihej se cilat ishin ekipet që do të zbritnin në fushë.
Në mbrëmjen e 5 majit, kur u zhvilluan ndeshjet e dyta çerekfinale, u kuptua se më 25 maj në kryeqytetin shqiptar, në stadiumin "Air Albania Stadium", do të ndeshen Roma dhe Feyenoord.
Gazetarët sportivë shqiptarë e shohin përcaktimin e UEFA-s, që finalja të zhvillohet në Tiranë, si një vlerësim për Shqipërinë. Po, gjithashtu, edhe si përgjegjësi.
Hygerta Sako gazetare dhe moderatore sportive, konsideron se ky është një hap tjetër i rëndësishëm I futbollit shqiptar pas pjesëmarrjes së Shqipërisë në Euro 2016.
“Ështe historike për Shqipërinë që finalja e parë e Conference League, një prej kompeticioneve më të rëndësishme të futbollit europian për klube, zhvillohet në Tiranë dhe përkatësisht në “Air Albania Stadium”. Tirana në 25 maj do jetë kryeqyteti i futbollit europian aq më tepër që kjo finale merr akoma më shumë vlera për shkak të skuadrave që përballen me njëra-tjetrën të cilat kanë shume histori Roma- Feyenoord. Pas pjesëmarrjes në Europian, kjo finale është një tjetër hap i rëndësishëm për futbollin tonë kombëtar që shpresoj të pasohet nga evente të tjera të këtij niveli e me një tjetër pjesëmarrje të Shqipërisë në Europian. Është një shenjë e qartë që futbolli ynë e bashkangjitur me të edhe infrastruktura po rritet ditë pas ditë, dhe vemendja që merr Shqipëria nga kjo finale është maksimale”, ka thënë ajo për RTKLive. “Personalisht jam e ekzaltuar dhe e lumtur që kemi arritur në këto nivele”.
Finale të garave të kupave evropiane më herët janë mbajtur në vende të rajonit, por jo edhe në Shqipëri.
Gazetari sportiv, Kristo Thoma, mendon se është një vlerësim nga UEFA po që duhet të shihet edhe si përgjegjësi.
“Sigurisht që organizimi i finales së Conference League në Shqipëri është një arritje për sa na takon dhe një vlerësim prej atyre që vendosin se ku do të luhen finalet sezonale, më konkretisht UEFA. Është një vlerësim që kthehet në përgjegjësi për organizatorët e eventit. Sigurisht që UEFA merr në konsideratë shumë elementë për të mbërritur në një vendim të tillë. Stadiumi i ri dhe i standardeve të larta është pikënisja, por natyrisht që zyrtarët e UEFA-s kanë shumë mirë të qarta edhe kushtet e tjera si siguria, infrastruktura, predispozita e publikut shqiptar (që shkon ose jo në stadium, s’ka rëndësi), etj. Duhet kuptuar që nga kjo finale Shqipëria nuk do të ketë ndonjë përfitim të mirëfilltë sportiv. Ai do të jetë kryesisht ekonomik dhe për sa i përket imazhit”, ka thënë ai. “Emri Tiranë ka qenë së fundmi vazhdimisht në artikujt sportivë botërorë, si edhe në fjalorin e komentatorëve të huaj dhe kjo ngjall një farë krenarie, e cila do të kompletohet nëse gjithçka do të shkojë mirë deri në mbrëmjen e 25 majit, në organizim dhe në civilizimin që publiku shqiptar i pranishëm jam i bindur se do të tregojë”.
Vetëm para disa vitesh Shqipëria nuk qëndronte mirë me infrastrukturën. Punimet në ish-stadiumin “Qemal Stafa”, kishin bërë që Kombëtarja e Shqipërisë t’i zhvillonte ndeshjet në Elbasan, në një stadium me kapacitet shumë të vogël.
Komentatori sportiv, Sokol Xhihani, beson se tashmë është kaluar ai problem kur në Shqipëri nuk gjeje një stadium që i plotësonte kushtet e kërkuara për organizimin e ndeshjeve të mëdha.
“Organizimi i finales së Conference League në Tiranë është eventi më i madh që mund t’i ketë ndodhur ndonjëherë Shqipërisë. Një mundësi për t’u shfrytëzuar që na jepet për herë të parë. Deri përpara se të kualifikoheshim në Euro 2016, ne nuk kishim një stadium për të luajtur ndeshjet e kombëtares, ndërsa tani pas gjashtë vitesh kemi katër stadiume shumë të mira, ku spikat "Air Albania" që do të presë dhe finalen Roma-Feyenoord. Shpresoj dhe besoj që do t’ia dalim ta mbyllim me sukses këtë finale historike për vendin tonë. Një event që edhe shumë vende të tjera të rajonit do ta kishin zili”, ka thënë ai. “Tifozët këtu në Shqipëri besoj e meritonin një event të tillë, pasi është një vlerësim shumë i madh që i bëhet vendit tonë. Gjithmonë duke shpresuar se nuk do të jetë i fundit”.























