Rinisin evakuimet në fabrikën e çelikut në Mariupol
Ukraina

Rinisin evakuimet në fabrikën e çelikut në Mariupol

VoA

Në fabrikën e çelikut “Azovstal” në qytetin e Mariupolit, kanë rinisur evakuimet e civilëve.

Lajmi u bë i ditur të premten nga shefi i kabinetit të presidentit të Ukrainës, Andriy Yermak,

Ai dha pak detaje rreth operacionit, por shtoi se informacionet mbi rezultatet, do të jepeshin më vonë.

Luftëtarët e regjimentit “Azov”, të strehuar nën tunelet e fabrikës së çelikut, kanë refuzuar të dorëzohen edhe pse përballë sulmesh të pamëshirshme. Bashkëshortja e komandantit të tyre tha se ata ishin zotuar të rezistonin deri në fund.

"Ata nuk do të dorëzohen", tha Kateryna Prokopenko të enjten pas një bisede telefonike me bashkëshortin e saj, Denys Prokopenko. "Ata shpresojnë vetëm tek një mrekulli", shtoi ajo.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë së Ukrainës bëri të ditur të premten se bllokada ndaj luftëtarëve të regjimentit “Azov” vazhdon dhe se trupat ruse, me mbështetje edhe nga ajri, kanë rifilluar sulmin për të marrë kontrollin e fabrikës.

Sipas vlerësimeve më të fundit të autoriteteve ruse, brenda fabrikës ndodhen rreth 2 mijë luftëtarë ukrainas. Po kështu në tunelet e nëndheshme të saj ndodhen edhe disa qindra civilë.

“Mes luftëtarëve ka shumë të plagosur, por ata nuk do të dorëzohen”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në fjalimin e tij të mbrëmjes.

“Imagjinoni sa e tmerrshme (është), atje ka dhe fëmijë. Më shumë se dy muaj bombardime të vazhdueshme, e vdekje të vazhdueshme”, shtoi zoti Zelenskyy.

Të mërkurën trupat ruse arritën të futeshin brenda fabrikës me ndihmën e një elektriçisti, i cili e njihte mirë objektin bëri të ditur këshilltari i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, Anton Gerashchenko.

"Ai u tregoi (trupave ruse) tunelet nëntokësore që të çojnë në fabrikë", tha ai në komente të regjistruara me pamje filmike.

Rënia e Mariupolit do të bënte që Ukraina të humbiste një port strategjik e do t'i mundësonte Rusisë të krijojë një korridor tokësor drejt Gadishullit të Krimesë, një territor i Ukrainës, të cilin Moska e pushtoi në vitin 2014. Po kështu rënia e Mariupolit në duart e Moskës, do t’u krijonte mundësi trupave ruse të luftonin diku gjetkë në Donbas, një rajon që Kremlini e ka shpallur tashmë objektivin kryesor të operacioneve të tij.