Mosfunksionimi i E- kioskave, krijon radhë të gjata në Komunën e Prishtinës
Gentiana Kelmendi- RTK
Qytetarët e Prishtinës po vazhdojnë të ballafaqohen me pritje të gjata për shkak të mosfunksionimit të kioskave ku ata mund të nxjerrin certifikatat. Kjo problematikë, sipas zyrtarëve të Komunës, ka të bëjë me ndryshimet që po bën Ministria e Punëve të Brendshme në sistem.
Zyrtarë të kësaj ministrie i kanë thënë RTK-së se ky ndryshim po ndodh me qëllim të rritjes së sigurisë së të dhënave dhe evidentimit të saktë.
E- kioskat të cilat janë shfrytëzuar nga qytetarët për të nxjerrë dokumente, tash e një kohë nuk janë duke funksionuar. E kjo ka ndikuar në krijimin e radhëve të gjata të pritjes së qytetarëve për t?u pajisur me dokumente në Komunën e Prishtinës.
"Numri i personave para teje është 38", shkruhet në një nga tiketat që nxirren në fillim për të pritur radhën. E për këtë arsye shumë kryeqytetas po kthehen pa kryer punë. Pakënaqësia e tyre është shumë e madhe.
Bersant Beka, drejtor i Administratës në Komunën e Prishtinës, tha se E-kioskat nuk janë duke funksionuar që nga 25 shkurti për shkak të disa ndryshimeve që Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë në sistem.
Ndërkohë, në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë deklaruar se me qëllim të rritjes së sigurisë së të dhënave dhe evidentimit të saktë dhe pas futjes në zbatim të udhëzimit të ri administrativ të gjendjes civile është vendosur që komunikimi në mes të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe e-kioskave, të realizohet duke përdorur platformën Government Gateëay të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.
"Nga ARC janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme dhe tani ka mbetur që komunat përkatëse të bëjë instalimin e certifikatave të sigurisë përmes se cilave bëhet e mundur realizimi i shërbimeve në mënyrë efektive, të sigurt dhe pa gabime, thuhet në përgjigjen e MBP-së.























