Blinken: Putin përpiqet të shtrembërojë historinë për të justifikuar luftën
Foto: ATSH-DPA
Ukraina

Blinken: Putin përpiqet të shtrembërojë historinë për të justifikuar luftën

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet të “përdredhë historinë” gjatë përkujtimit të fundit të Luftës së Dytë Botërore “për të justifikuar luftën e tij brutale dhe të paprovokuar kundër Ukrainës.

“Ndërsa lufta shpërthen përsëri në Evropë, ne duhet të rrisim vendosmërinë tonë për t’i rezistuar atyre që tani kërkojnë të manipulojnë kujtesën historike për të çuar përpara ambiciet e tyre,” tha Blinken në një deklaratë për 77-vjetorin e fitores ndaj nazistëve.

“Ndërsa përkujtojmë fundin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë, ne kemi një detyrë të shenjtë ndaj të rënëve: të tregojmë të vërtetën për të kaluarën dhe të mbështesim të gjithë ata që luftojnë për lirinë në kohën tonë”, shtoi Blinken.

Fundi i Luftës së Dytë Botërore përkujtohet gjerësisht më 8 maj, por Rusia feston fitoren sovjetike mbi regjimin nazist më 9 maj. Moska po planifikon një paradë ushtarake dhe Putini duhet të flasë për luftën në Ukrainë. /ATSH-DPA/