G-7 shënon Ditën e Fitores, duke shprehur mbështetjen ndaj Ukrainës
Ukraina

G-7 shënon Ditën e Fitores, duke shprehur mbështetjen ndaj Ukrainës

VoA

Udhëheqësit e vendeve të G-7-ës u zotuan të dielën të ulin gradualisht ose të ndalojnë importin e karburantit rus, ndërsa u takuan me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, për të theksuar mbështetjen e tyre dhe për të treguar unitetin e aleatëve perëndimorë në Ditën e Fitores në Evropë, e cila shënon dorëzimin e Gjermanisë naziste në vitin 1945.

Ulja e furnizimit me karburant nga Rusia "do të godasë fort në arterien kryesore të ekonomisë së Presidentit Putin dhe do t'i mohojë atij të ardhurat që i duhen për të financuar luftën", thuhet në një deklaratë të vendeve G-7, ku janë anëtarë Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Gjermania, Franca, Italia dhe Japonia.

"Do të sigurohemi që të veprojmë në kohën e duhur dhe me rregullin e duhur, në mënyra që do t'i ofrojnë botës kohë për të siguruar furnizime alternative", thanë ata.

Duke e kthyer vështrimin pas në Luftën e Dytë Botërore, udhëheqësit theksuan unitetin në vendosmërinë e tyre që Presidenti Putin të mos triumfojë.

"I detyrohemi kujtimit të atyre që luftuan për liri gjatë Luftës së Dytë Botërore, që ta vazhdojmë luftën për këtë edhe sot, për popullin e Ukrainës, për Evropën dhe komunitetin global", thanë ata.

Një bisedë telefonike mes Presidenti amerikan Joe Biden, udhëheqësve të G7-ës dhe Presidentit Zelenskyy zgjati për gati një orë.

Shtetet e Bashkuara njoftuan gjithashtu sanksione të reja ndaj Rusisë për shkak të sulmit të saj në Ukrainë. Ato përfshijnë ndërprerjen e reklamave perëndimore në tre televizionet më të mëdha ruse, ndalimin e ofrimit të shërbimeve ndaj shtetasve rusë të kompanive amerikane të kontabilitetit dhe konsulencës, shtimin e sanksioneve të mëtejshme ndaj sektorit energjitik të Rusisë, përfshirë ndalimin e produkteve të drurit, motorëve dhe mjeteve industriale, etj.

Shtëpia e Bardhë i njoftoi sanksionet e reja përpara Ditës së Fitores më 9 maj, kur Presidenti rus Putin pritet të flasë të hënën për atë që e quan një operacion special ushtarak në Ukrainë, gjatë një fjalimi përpara forcave ushtarake të mbledhura në Sheshin e Kuq.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë po kundërpërgjigjen me mesazhin se Presidenti Putin po e izolon gjithnjë e më shumë Rusinë nga pjesa tjetër e botës dhe se po i shkakton dëm të jashtëzakonshëm ekonomisë ruse. Përpara lidhjes telefonike, zyrtarët britanikë thanë se Britania do të ofrojë 1.6 miliard dollarë të tjerë në mbështetje ushtarake për Ukrainën për ta ndihmuar të mbrohet nga forcat ruse.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau bëri një vizitë të befasishme në Ukrainë të dielën, ku vizitoi qytetin verior Irpin, i cili u dëmtua rëndë në fillimet e luftës, gjatë përpjekjeve të Rusisë për të marrë kryeqytetin Kiev. Kryetari i bashkisë publikoi në mediat sociale të dielën pamje të zotit Trudeau, dhe tha se udhëheqësi kanadez ishte tronditur kur pa dëmet ndaj shtëpive të civilëve.

Zyra e zotit Trudeau tha më vonë se "kryeministri ishte në Ukrainë për t'u takuar me Presidentin Zelenskyy dhe për të konfirmuar mbështetjen e palëkundur të Kanadasë për popullin ukrainas".

Në Gjermani, Kancelari Olaf Scholz tha në një fjalim të transmetuar nëpërmjet televizionit se kjo e dielë është "një 8 maj si asnjë tjetër".

Ai tha se Gjermania ka punuar shumë për të mbajtur përgjegjësitë e veprimeve të saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke u pajtuar me Rusinë dhe Ukrainën, dhe duke iu përkushtuar konceptit "kurrë më". Por sulmi "barbar" i Rusisë në Ukrainë në muajin shkurt e riktheu luftën sërish në Evropë, tha zoti Scholz, diçka që më parë ishte e paimagjinueshme.

"Liria dhe siguria do të mibzotërojnë - ashtu siç liria dhe siguria triumfuan mbi mungesën e lirisë, mbi dhunën dhe diktaturën 77 vite më parë", tha zoti Schulz në fjalimin e tij.

Edhe kryeministri i Kroacisë vizitoi të dielën Ukrainën, pas njoftimeve se një shtetas kroat që luftonte në Mariupol ishte kapur rob nga forcat ruse. Qeveria kroate tha se vizita e Kryeministrit Andrej Plenkovic ishte "një shprehje solidariteti dhe mbështetjeje" për udhëheqësit dhe popullin ukrainas./VoA