Ndihma të reja ushtarake për Ukrainën
Ukraina

Ndihma të reja ushtarake për Ukrainën

VoA

Ligjvënësit amerikanë pritet të votojnë sot për një projektligj që do të autorizonte dhënien e të paktën 33 miliardë dollarëve në ndihma ushtarake dhe humanitare për Ukrainën. Përpara votimit, Presidenti Joe Biden tha se administrata e tij ka ezauruar pothuajse të gjithë autoritetin për të dërguar armë dhe paisje të tjera ushtarake nga rezervat e Pentagonit.

Kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, tha të hënën se megjithëse mund t’i bëhen disa ndryshime projektligjit të propozuar nga presidenti, kërkesa pritet të miratohet me shpejtësi.

Presidenti Biden nënshkroi dje një ligj të veçantë që i jep atij autoritet të mëtejshëm për të përshpejtuar dërgimin e furnizimeve dhe paisjeve ushtarake drejt Ukrainës, sipas shembullit të një programi që u vu në përdorim gjatë Luftës së Dytë Botërore për të ndihmuar vendet që luftonin Gjermaninë naziste, të njohur si “hua-qera”. Dallimi është se këtë radhë agresori është Rusia.

“Mizoritë në të cilat janë angazhuar rusët janë të papranueshme. Dhe kostoja e luftës nuk është e paktë, por dorëzimi përballë agresionit mbart kosto edhe më të larta”, tha Presidenti Biden.

Ligji “hua-qera”, i miratuar nga Kongresi në mars 1941, i dha Presidentit Roosevelt pothuajse autoritet të pakufizuar për të dërguar ndihma materiale si municione, tanke, aeroplanë, kamionë dhe ushqim për përpjekjet e luftës në Evropë, pa ndryshuar pozicionin zyrtar të vendit për neutralitet.

Ligji autorizoi dhënien e ndihmës materiale për vendet që mbronin Shtetet e Bashkuara. Nuk kishte kufizime për armët e huazuara, fondet apo përdorimin e porteve amerikane. Ai i lejoi presidentit të transferonte materiale në Britani pa pagesë, siç parashikohej nga Ligji i Neutralitetit.

Projektligji i ri për ta ndihmuar Ukrainën nëpërmjet dhënies në përdorim të paisjeve ushtarake, i jep Presidentit Biden autoritetin për të arritur me shpejtësi marrëveshje me Ukrainën dhe vende të tjera evropiane për këto furnizime ushtarake, duke anashkaluar disa prej procedurave të rënda burokratike të Uashingtonit.

Si një shembull i rrallë në Uashington, projektligji u kalua nga ligjvënësit me vota të shumta muajin e kaluar, duke demonstruar kështu mbështetjen për qeverinë e Kievit që lufton me forcat ruse.

Zëri i Amerikës bisedoi me Senatorin republikan Dan Sullivan, një ndër bashkë-hartuesit e projektligjit, pranë një monumenti në Alaska, që nderon bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë bazuar në ligjin për dhënien në përdorim të paisjeve ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në atë kohë, Shtetet e Bashkuara dërguan rreth 8 mijë avionë amerikanë, që u morën në dorëzim nga pilotë sovjetikë në Fairbanks të Alaskas dhe u përdorën për të luftuar në frontin në Evropë.

“Pra është një kthim prej 180 gradësh i këtij ligji. Qartësisht tashmë është Rusia në objektiv dhe jo më përfituesja”, thotë Senatori Sullivan.

Ligji i ri vjen ndërsa Pentagoni konfirmoi të dhënat se ushtarët rusë po i marrin me forcë ukrainasit drejt territorit rus.

“E kundërshtojmë marrjen me forcë në Rusi të ukrainasve. Është e papërgjegjshme – nuk sillet kështu një fuqi e përgjegjshme. Sigurisht, një tjetër tregues se ai (Presidenti Putin) thjesht nuk mundet ta pranojë dhe respektojë sovranitetin ukrainas dhe se ata janë shtetas të një vendi tjetër”, tha sekretari i shtypit i Pentagonit, John Kirby.

Për më tej, organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International njoftoi të hënën se disponon evidencë për krimet e luftës që bënë forcat ruse në Kiev.

Në Ditën e Fitores, kur rusët kujtuan fitoren ndaj luftës brutale të Adolf Hitlerit, Presidenti Putin fajësoi në fjalimin e tij Ukrainën dhe Perëndimin për atë që e quajti “një kërcënim i papranueshëm”.

Por, Presidenti ukrainas Zelenskyy u zotua se forcat ukrainase do të luftojnë ashtu si stërgjyshërit e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore për të mbrojtur të ardhmen e fëmijëve ukrainas dhe denoncoi përsëritjen e krimeve të tmerrshme të regjimit të Hitlerit dhe kopjimin e filozofisë naziste.

Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës deri më tani rreth 4 miliardë dollarë armatime dhe paisje dhe Presidenti Biden i ka kërkuar tashmë Kongresit edhe 33 miliardë dollarë të tjera për të furnizuar me paisje ushtarake Ukrainën deri në muajin shtator.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa