BE dënon sulmet kibernetike të Rusisë ndaj Ukrainës
Ukraina

BE dënon sulmet kibernetike të Rusisë ndaj Ukrainës

ATSH

Bashkimi Evropian ka dënuar ashpër kryerjen e sulmeve kibernetike të Rusisë ndaj Ukrainës.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell në një deklaratë, theksoi se aktivitetet kibernetike keqdashëse të Rusisë kanë në objektiv rrjetin satelitor KA-SAT të menaxhuar nga kompania amerikane “Viasat”.

“Sulmi kundër rrjetit i cili siguron shërbimin e internetit satelitor në rajonin e Evropës dhe Mesdheut, filloi një orë para sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës me 24 shkurt”, tha Borrell duke shtuar se në këtë mënyrë është lehtësuar sulmi ushtarak i Rusisë.

Borrell theksoi se sulmi ka ndikuar tek institucionet publike, kompanitë dhe përdoruesit në Ukrainë, si dhe te disa vende të BE-së. Ai tha se sulmin i Rusisë mund të drejtohet edhe ndaj vendeve të tjera, dhe se kjo mund të përbënte një rrezik sistematik të sigurisë që do të vendoste në rrezik sigurinë e Evropës.

Rrjeti satelitor KA-SAT e cili përdoret edhe nga ushtria e Ukrainës, siguron shërbimet e internetit për rajonet e Evropës Lindore dhe Qendrore.