SHBA, rritje dramatike e ndihmës për Ukrainën
Ukraina

SHBA, rritje dramatike e ndihmës për Ukrainën

VoA

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi të martën 40 miliardë dollarë ndihma të reja ushtarake dhe humanitare për Ukrainën. Senati pritet ta miratojë atë brenda javës. Siç njofton "Zërit të Amerikës,"votimi pason nënshkrimin e një ligji nga ana e Presidentit Biden që përshpejton dërgimin e armëve në Ukrainë.

Ndërsa lufta vazhdon e ashpër në Odesa dhe qytete të tjera të Ukrainës, SHBA po e rrit në mënyrë dramatike ndihmën për këtë vend.

Vetëm dy muaj pasi Kongresi miratoi 13.6 miliardë dollarë për të ndihmuar Ukrainën, Presidenti Biden, duke paralajmëruar se financimi për ndihmën ushtarake po mbaronte, kërkoi 33 miliardë dollarë të tjerë.

“Kostoja e kësaj lufte - nuk është e vogël - por dorëzimi para agresionit do të ishte më i kushtueshëm. Prandaj ne po vazhdojmë mbështetjen", tha presidenti Biden kur propozoi paketën e re të fondeve.

Ndërkohë, zyrtarë të lartë të zbulimit amerikan thanë se presidenti rus Vladimir Putin duket se po përgatitet për një konflikt të gjatë dhe lufta në Ukrainë ka ngecur.

Demokratët shtuan edhe 7 miliardë dollarë të tjerë pasi thanë se 33 miliardë dollarë nuk ishin të mjaftueshme.

"Rusisë do t'i mbarojnë paratë. Atyre do t'u mbarojnë arsenalet ushtarake. Ne duhet të sigurohemi që Ukrainës të mos i mbarojnë fondet, që Ukrainës të mos i mbarojnë arsenalet ushtarake”, tha senatori demokrat Chris Murphy.

Në fillim të kësaj jave, Presidenti Biden nënshkroi një ligj të ngjashëm me një ligj të Luftës së Dytë Botërore, që ndihmoi vendet evropiane të mposhtnin Gjermaninë naziste.

Ligji i ri i lejon presidentit të përshpejtojë dërgimin e pajisjeve ushtarake në Ukrainë. Disa analistë thonë se Presidenti Biden po mban një qëndrim gjithnjë e më të ashpër, duke patur mbështetjen si të republikanëve edhe demokratëve në Kongres.

"Pasojat e mbështetjes ushtarake pa kufizime për Ukrainën, pa një fund në horizont dhe mundësia e zgjatjes së një lufte që paraqet rreziqe reale për sigurinë e amerikanëve është, një temë shumë serioze, që nuk është debatuar me seriozitetin që meriton në Uashington", thotë për Zërin e Amerikës George Beebe, drejtor strategjie në Institutin Quincy për Qeverisje të Përgjegjshme.

Ndërkohë, Kongresi nuk mundi të binte dakord për fondin prej 22.5 miliardë dollarësh të propozuar për të luftuar COVID-19, përfshirë 5 miliardë dollarë për përgjigjen globale ndaj pandemisë dhe e hoqi atë nga paketa e Ukrainës.

"E hoqëm sepse donim ta miratonim me shpejtësi ndihmën për Ukrainën. Kjo nuk duhet parë si një nënvlerësim i problemit të COVID-it. Por në këtë moment çështja e Ukrainës është më urgjente dhe më sfiduese se sa ajo e COVID-it", tha senatori republikan James Risch.

Po të martën, kryeministri italian Mario Draghi ishte në Shtëpinë e Bardhë dhe përcolli mesazhin se evropianët duan një fund diplomatik të konfliktit.

"Njerëzit dëshirojnë që të ekzistojë mundësia për arritjen e një armëpushimi dhe rifillimit të negociatave të besueshme", tha ai.

Zoti Biden nuk u bëri jehonë komenteve të kryeministrit Draghi dhe zyrtarët amerikanë nuk besojnë se Rusia është e gatshme të bisedojë.