Ancelotti në finalen e pestë: Përshtatem me ndryshimet
RTSH
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, flet për veten e tij në një intervistë disa ditë para finales së tij të pestë në Champions League, ku do të përballen ‘Los Blancos’ kundër Liverpool.
"Finalja ime e pestë? E kam menduar. Po, kaq shumë vite kanë iku që nga hera e parë. Futbolli ka ndryshuar dhe unë kam qenë në gjendje të përshtatem me ndryshimet. Nga finalja e parë e vitit 2003 deri më sot ka pasur shumë përmirësime. Futbolli është gjithmonë një spektakël interesant dhe unë përshtatem sepse kam një pasion të madh për këtë sport”.
“Në Champions League jemi përballur shumë herë – kujton ai, duke folur për Liverpool –. E para ishte në vitin 1984 në finalen e Romës, por unë nuk luajta sepse u dëmtova. Pastaj, përsëri në 2005 dhe 2007 (në kohën e Milanit). Më vonë rivaliteti u intensifikua kur punova me Everton. Liverpool është një ekip i madh, i vështirë për t'u përballur. Ata luajnë në një nivel shumë të lartë, me një fizikalitet të madh, por është kënaqësi t'i gjesh në finale”.
Duke folur për Milanin, trajneri emilian kujton se, "ajo e vitit 2005 ishte skuadra më e mirë që kam pasur ndonjëherë në finale. Fatkeqësisht ka paparashikueshmëri në futboll (të kuqtë rikuperuan nga 0-3 në 3-3) që nuk mund të kontrollohet. Është e vështirë të shpjegohet, ashtu siç është e vështirë të shpjegohet se si arritëm të shënonim dy gola në një minutë në fund të ndeshjes kundër City. Këto gjëra ndodhin dhe duhet t'i pranosh, pa u menduar shumë - pranoi ai. - Futbolli ofron gjithmonë një shans, i cili erdhi dy vjet më vonë (në vitin 2007, kur Milani mundi Liverpool-in në finale)”.
‘Reds’ do të duan të hakmerren për humbjen që pësuan në finalen e 2018.
“Real Madrid po kërkon gjithashtu hakmarrje, sepse humbi një finale kundër Liverpool-it (ajo në 1981 në Paris). Nuk mendoj se do të thotë shumë. Dy skuadra të mëdha përballen me njëra-tjetrën dhe në fund do të fitojë ajo që ka më shumë guxim dhe personalitet. Siç thashë Liverpool ka shumë cilësi, luan me intensitet të lartë dhe është i organizuar mire”.
“Ata janë një nga skuadrat më të forta. - vazhdoi trajneri Italian - Jürgen Klopp është një menaxher i madh dhe ne kemi një marrëdhënie të mirë. Ai ka sjellë disa risi në futboll, veçanërisht intensitetin dhe presionin sulmues. Po bën një punë të shkëlqyer. Si është të fitosh Champions League? Ndjen se ke fituar kompeticionin më të rëndësishëm, që e ke bërë mirë punën tënde”.
“Nëse është ndryshe ta fitosh atë si trajner dhe si lojtar? Epo ... po. Ndjenjat dhe emocionet janë të ndryshme: ato janë më të forta kur fiton si trajner. Si lojtar je pjesë e një grupi fitues, por si trajner ke më shumë përgjegjësi”.























