Real Madrid fiton finalen ku Liverpool pati më shumë raste
Uran Krasniqi/RTKLive
Real Madrid ia ka dalë ta vendosë edhe një Kupë të Champions League në vitrinën e vet. Në ndeshjen finale të zhvilluar natën e të shtunës madrilenët kanë triumfuar ndaj anglezëve të Liverpool.
Për fitoren e madhe ka mjaftuar vetëm një gol. Ka qenë minuta e 58-të kur Vinicius Junior e ka dërguar topin e rrjetë.
Vetëm një minutë më parë, futbollistët e Liverpool kanë kërkuar penallti.
Në pjesën e parë moment i diskutueshëm ka qenë një gol i Karim Benzema i anuluar nga VAR. Gjatë kësaj pjesëloje Liverpool tregoi futboll më të mirë, kur me anë të Salah dhe Mane ka rrezikuar tri herë portën e Real Madridit.
Real Madrid tashmë është fitues i katërmbëdhjetëfishtë i Champions League, më shumë se çdo klub tjetër.

Real Madrid kalon në epërsi kundër Liverpool
Ka qenë minuta e 58-të kur Vinicius Junior e ka dërguar topin e rrjetë. Real Madrid ka kaluar në epërsi ndaj Liverpool në ndeshjen finale të Champions League.
Vetëm një minutë më parë, futbollistët e Liverpool kanë kërkuar penallti.

Pjesa e parë e finales së Champions League mbyllet me rrjeta të paprekura
Sikur të mos ishte pozicion jashtë loje një moment i Karim Benzema, atëherë pjesëloja e parë e finales së Champions League Real Madrd - Liverpool do t`u takonte madrilenëve, por VAR ka folur ndryshe. Gjithashtu edhe Thibaut Courtois u ka mohur tre gola futbollistëve të Liverpool.
Dy herë ka tentuar Mohamed Salah dhe një herë Sadio Mane, por belgu ka qenë në vend.
Pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur me rrjeta të paprekura.

Nis finalja e Champions League, pas afro dyzet minutash vonesë
Ka filluar ndeshja finale e Champions League mes Real Madrid dhe Liverpool. Fillimi i ndeshjes është shtyrë tri herë radhazi. Në vend se të fillonte në ora 21:00, ka filluar pas afro dyzet minutave. Ende nuk është e qartë plotësisht se çka e ka shkaktuar vonesën.

Shtyhet për të tretën herë finalja e Champions League
Ndeshja e finale e Champions League është shtyrë për të tretën herë radhazi. Vendimi i fundit i UEFA-s është që ndeshja të fillojë në ora 21:36.
Zyrtarë të klubeve po edhe të UEFA-s janë parë duke reaguar me pakënaqësi përballë vonesës.

Shtyhet për të dytën herë finalja e Champions League
Është shtyrë edhe për pesëmbëdhjetë minuta të tjerë finalja e Champions League mes Real Madridit dhe Liverpoolit. Herën e parë është shtyrë nga 21:00 në 21:15 dhe herën e dytë nga 21:15 në 21:30. Vendimin për shtyerje e ka marrë UEFA.
Jozyrtarisht thuhet se është sulmuar familja e një prej futbollistëve të Liverpool.
Lojtarët në vend se të dilnin për të luajtur në fushë, ata kanë dalur për t'i kryer nxemjet.

Shtyhet për pesëmbëdhjetë minuta ndeshja finale e Champions League
Është shtyrë për pesëmbëdhjetë minuta finalja e Champions League mes Real Madridit dhe Liverpoolit. Sipas UEFA-s, ndeshja është shtyrë pas vonesës së tifozëve të Liverpoolit. Ndeshja ishte planifikuar të niste në ora 21:00, ndërsa është vendosur të fillojë në ora 21:15.
Jozyrtarisht thuhet se shtyerja e fillimit të ndeshjes ka ndodhur për shkak të disa incidenteve mes tifozërive jashtë stadiumit.

Finalja Real Madrid - Liverpool, publikohen formacionet
Finalja e Champions League mes Real Madridit dhe Liverpoolit zhvillohet sonte në Paris të Francës. Tashmë janë publikuar edhe formacionet e të dyja skuadrave për ndeshjen.
























