Nesër Qipro-Kosova, ja çfarë thonë Griesse dhe Berisha
BKT
Sport

Nesër Qipro-Kosova, ja çfarë thonë Griesse dhe Berisha

Fatmir Bytyqi /RTKlive

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Alain Griesse, në konferencën për media, një ditë para ndeshjes me Qipron, është shprehur optimist se Kombëtarja jonë, do të ketë paraqitje të mirë në duel me qipriotët.

Qipro dhe Kosova do të përballen nesër mbrëma në ndeshjen e parë në kuadër të Ligës së Kombeve.

Tekniku francez tha të gjitha skuadrat e këtij grupi janë në nivel të njëjtë. Griesse mendon se futbollistët e Kosovës janë në formën e duhur për sfidën me Qipron.

"Po e nisim një garë të re, ku të gjitha skuadrat janë në nivel të njëjtë. Për mua kanë qenë shumë të rëndësishme dy ndeshjet që i zhvilluar në mars ndaj Burkina Fasos dhe Zvicrës sepse kemi treguar mënyrën si të ndërtojmë skuadrën dhe mentalitetin që duhet të kemi. Besoj që tashmë jemi në formën e duhur dhe të vazhdojmë në këtë mënyrë", tha Griesse.

"Për ne ka qenë shumë e rëndësishme që fillimisht të shohim si luan Qipron dhe pastaj të shohim mënyrën si ne të luajmë, e kemi bërë një gjë të tillë, por kjo nuk do të thotë që do bëjmë ndryshime. Lojtarët do vazhdojnë të jenë në pozicionin e tyre, ku ndihen shumë më mirë, siç është rasti i Valonit që duhet të luajë në pozitën ku ndihet më mirë", theksoi ai.

Berisha: E rëndësishme ta nisim mbarë  

Optimist për një rezultat pozitiv në duel me Qipron, është shprehur edhe mesfushori i ‘Dardanëve’, Valon Berisha. Ai mendon se ndeshja e parë e këtij grupi, është e rëndësishme për ta nisur mbarë grupin. Berisha mendon se Kosova është e përgatitur mirë për duelin e nesërme.

“Loja e parë ka më qenë shumë e rëndësishme që të nisim mbarë grupin. Jemi përgatit mirë, kemi stërvitur mirë dhe jemi mbledhur me kohë që të jemi të gjithë bashkë para ndeshjes së rëndësishme në kualifikime. Kemi folur si ekip sepse shumica jemi duke u ngritur në moshë dhe e dimë që është një moment shumë i rëndësishëm. Kemi folur për secilën lojë që të japim maksimumin, të jemi të fokusuar mentalisht dhe fizikisht. E dimë çfarë lojtarë jemi dhe duhet ta tregojmë në fushë”, tha Berisha.

Ndeshja mes Qipros dhe Kosovës luhet nesër mbrëma dhe nis në orën 18:00.