Plaçkitet Çernobili
BKT
   Ukraina

Plaçkitet Çernobili

Flutura Bekqeli/RTK

Zyrtarë të Ukrainës kanë thënë se ushtria ruse ka plaçkitur dhe dëmtuar më shumë se 1 mijë kompjuterë në termocentralin bërthamor të Çernobilit si dhe ka vjedhur kamionë dhe dozimetra të rrezatimit.

Drejtori i informacionit të Çernobilit, Vitaliy Medved ka thënë se pajisjet bërthamore nuk u dëmtuan dhe "për sa i përket sigurisë nga rrezatimi gjithçka është në rregull".

Shpërthimi i një reaktori në Çernobil përhapi rrezatim në të gjithë Evropën në 1986. Fabrika e çmontuar, në veri të Kievit, shtrihet pranë kufirit me Bjellorusinë dhe u pushtua shpejt nga trupat ruse pas pushtimit të tyre më 24 shkurt.

Forcat ruse kontrolluan uzinën për pesë javë përpara se të tërhiqeshin më 31 mars. Një ekip nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e OKB-së (IAEA) sapo ka përfunduar një vizitë në Çernobil dhe në zonën e tij të përjashtimit prej 2,700 km katrorë.

Në zonën e përjashtimit, megjithatë, ka disa pika të nxehta të rrezatimit për të cilat menaxherët e Çernobilit fajësojnë aktivitetin ushtarak rus, pasi trupat hapën llogore dhe automjetet e tyre nxirrnin pluhur.

Yevhen Kramarenko, kreu i agjencisë së zonës së përjashtimit, tha se mijëra automjete ruse duke përfshirë tanke kishin kaluar nëpër zonë.

Ai tha se Rusia kishte vendosur më shumë se 1000 ushtarë në Çernobil.

Në prill, agjencia tha se rusët kishin plaçkitur dy laboratorë në Çernobil, duke vjedhur burime të rrezatimit jonizues.

Ukraina tani ka çminuar zonën dhe ka asgjësuar municionet e lëna pas. Riparimet kanë filluar në objektet e dëmtuara por tani është urgjente të sigurohet operacione të sigurta për mbetjet radioaktive dhe karburantin bërthamor të konsumuar.