Katër vite nga vdekja e legjendës së futbollit, Fadil Vokrri (E plotësuar)
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Në këtë datë (9 qershor) katër vite më parë ndërroi jetë legjenda e futbollit kosovar, njëkohësisht atë kohë kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Krerët e FFK-së dhe Kombëtarja bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Vokrri
Presidenti Agim Ademi në shoqëri të KE të FFK-së, komplet ekipit të Kombëtares, veteranëve të futbollit, administratës së FFK-së si dhe tifozëve “Dardanët” kanë bërë sot homazhe dhe kanë vendosur buqeta lulesh tek varri i ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri, me rastin e katër vjetorit të vdekjes së tij.
Pas homazheve presidenti Ademi në një prononcim për media ka thënë se kujtimi për Legjendën e futbollit mbarëkombëtar do të jetë i përhershëm.
“Sot është përvjetori i katërt pa Legjendën tonë. Fadil Vokrri dihet tashmë kush ka qenë në fushën e lojës, normalisht ka qenë edhe udhëheqës i Federatës dhe i falënderoj të gjitha ata që kanë dhënë kontribut për futbollin dhe për FFK-në që me ardh në këtë ditë, sidomos Legjendën tonë i cili ka qenë në fazën e ndërkombëtarizimit. Në këtë kohë ndjejmë edhe dhimbje edhe emocione të ndryshme. Jo rastësisht sot qëlloi ndeshja e cila do të luhet me Irlandën e Veriut dhe rezultatin ia dedikojmë ish-presidentit Fadil Vokrri. Po ashtu i lus ‘Dardanët’ që ta bëjnë një koreografi jashtëzakonisht të veçantë në këtë katër vjetorin dhe sigurisht që kujtimi do të jetë i përhershëm për të”, theksoi kreu i FFK-së.
E homazhe tek varri i Legjendës kanë bërë edhe familjarët e të ndjerit, miq e qytetarë të shumtë.
“Legjenda nuk vdes kurrë”, Dardanët me fjalë të mëdha për Vokrrin në përvjetorin e katër të vdekjes
Tifogrupi “Dardanët” e kanë përkujtuar me fjalë të mëdha legjendën e futbollit shqiptar Fadil Vokrrin në katërvjetorin e vdekjes së tij.
“Dardanët” nëpërmjet faqes së tyre zyrtare kanë përkujtuar Vokrrin, derisa kanë shkruar se Vokrri është inspirim për ta.
“Legjenda nuk vdes kurrë. Ai është inspirimi ynë. Ai është udhërrëfyesi ynë. Ai është Fadil Vokrri. Përgjithmonë në zemrat dhe kujtimet tona. Legends never die”, thuhet në faqen zyrtare të “Dardanëve”.
Blazeviç: Fadil Vokrri ishte dhe do të mbetet figurë historike
Ish-trajneri i FC Prishtinës, Miroslav Ciro Blazeviç, e ka vlerësuar lartë kontributin e legjendës së futbollit të Kosovës Fadil Vokrri i cili sot katër vite më parë u nda nga jeta.
Strategu kroat kishte drejtuar Prishtinën e gjeneratës së artë në elitën e Ish-Jugosllavisë në krye wme ikonën e futbollit tonë Fadil Vokrri.
Blazeviç njihet si mik i madh i Kosovës. Ai përmes llogarisë së tij në Facebook, ka thënë se Fadil Vokrri ishte një lojtar i kalibrit të lartë.
“U bënë 4 vite nga vdekja e papritur e Fadil Vokrrit, dhe ende e kujtoj me shumë gjallëri popullaritetin e tij dhe dashurinë që publiku kultivonte për të në kohën kur unë e drejtoja Prishtinën. Aq i fuqishëm, shpërthyes, i shkathët, teknik. Ai shkundi lehtësisht të gjithë mbrojtësit që u përpoqën ta ndalonin atë. Ai dinte gjithçka, dhe të shënonte, edhe të mashtronte, dhe ai ishte një kokë e shkëlqyer. Megjithatë, ai nuk ishte vetëm një futbollist i talentuar por edhe një qenie njerëzore. Një njeri human që pushtonte lehtësisht masat me tiparet e tij të karakterit. Kur i doni njerëzit - ata ju duan përsëri! Ai ishte shumë, shumë emocional, dhe kështu jam unë, këtu, tani kur e kujtoj atë dhe një nga aventurat më të bukura të jetës sime. I gjithë qyteti jetonte për klubin. E sot, historia e asaj epoke që nuk harrohet kurrë përcillet nga brezi në brez, ndërsa edhe sot ndjej kënaqësi të madhe për shkak të periudhës që kalova me Fadil Vokrrin në Prishtinë. Unë kurrë nuk mund dhe nuk dua ta harroj atë”, ka shkruar Blazeviç.
“Ajo që më vjen keq sinqerisht është se nuk arrita ta bind Vokrrin që t’i bashkohet Dinamos në atë kohë. Partizani dhe Dinamo e kishin joshur me kontrata joshëse për dy vite, por në fund pranoi ofertën e Partizanit që ishte shumë më e mirë për të sepse Dinamo nuk ishte aq e fuqishme në atë kohë për ta përballuar financiarisht. Për ta përmbyllur këtë kujtim të trishtë të përvjetorit të sotëm: Fadil Vokrri ishte dhe do të mbetet figurë historike e klimës sonë, dhe jam i lumtur që pata privilegjin ta trajnoj!”, ka shkruar ndër të tjerat Blazeviç.
Ademi në përvjetorin e Vokrrit: Ai mbetet pjesë e motivimit të gjeneratave të reja
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, e ka vlerësuar lartë kontributin e legjendës së futbollit të Kosovës Fadil Vokrri i cili sot katër vite më parë u nda nga jeta.
Ademi në një shkrim të publikuar ne “Facebook”, ndër të tjera ka thënë se Vokrri mbetet pjesë e motivimit të gjeneratave të reja dhe se personalisht ndihet i nderuar që ishte në mesin e miqve të tij.
“Sot bëhen katër vjet që kur na la presidenti, miku dhe Legjenda jonë, Fadil Vokrri. Një figurë emblematike e futbollit të Kosovës, që në rininë e tij të hershme u shqua si njëri nga futbollistët më të spikatur në trojet shqiptare dhe jo vetëm, derisa për shumë vite u dallua edhe si drejtues i denjë i FFK-së. Sot, Legjenda na mungon të gjithëve fizikisht, por përherë mbetet në kujtimet tona si një personalitet i cili me karrierën e tij të bujshme i dha vlera të mëdha futbollit të Kosovës, teksa udhëhoqi me sukses procesin e anëtarësimit në UEFA e FIFA. Fanella me numrin 9 e simbolizonte karrierën e tij madhështore. Tani 9 qershori e simbolizon përkujtimin e tij të përjetshëm, teksa në çdo ndeshje të Kombëtares së Kosovës minuta e 9-të simbolizohet me brohoritjet e tifozëve me emrin e tij. Fadil Vokrri mbetet pjesë e motivimit të gjeneratave të reja, derisa për shumë breza që kishin fatin të luanin, të punonin e të ishin afër tij mbetet kujtim krenarie. Jam i nderuar që isha në mesin e miqve të tij të shumtë, por edhe krahu i tij i djathtë në rrugëtimin drejt ndërkombëtarizimit. Së bashku kaluam nëpër shumë peripeci, por punuam në vazhdimësi me këmbëngulësi që futbolli i Kosovës të jetë në nivelin ku është sot. Tani arritjet tona janë pjesë e përkushtimit në punë dhe u dedikohen të gjithë atyre që punuan e kontribuuan në futbollin kosovar që nga ditët e para të mëvetësimit. Sot, në këtë datë, rastisi që Kombëtarja jonë të luajë kundër Irlandës së Veriut, ndeshje e cila do të jetë në përkujtim të tij dhe rezultati i saj, i cili shpresojmë se do të jetë pozitiv, do të jetë i dedikuar për Fadil Vokrrin”, ka shkruar i pari i futbollit tonë.
Vokrri kishte ndërruar jetë pas një sulmi në zemër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në moshën 57 vjeçare.
Vokrri pas një karrierë të jashtëzakonshme në futboll, më 16 shkurt 2008, mori postin e kryetarit të FFK-së duke qenë ndoshta më meritori për pranimin e Kosovës në dy shtëpitë e futbollit, UEFA dhe FIFA, gjë që ndodhi në vitin 2016.
“Ky është një moment historik dhe unë premtoj se do t’i prezantojmë vlerat e futbollit. Duam t’i bëjmë njerëzit bashkë brenda dhe jashtë fushës”, kshte deklaruar Vokrri pas pranimit të Kosovës në UEFA.
Kush ishte Fadil Vokrri?
Vokrri karrierën si futbollist e nisi të Llapi, por kohën më të mirë sa i përket futbollit kosovar e gjeti te Prishtina, skuadër tek e cila u transferua në vitin 1980, ku qëndroi për gjashtë vite para se t'i bashkohej Partizanit të Beogradit.
Edhe pas kalimit te klubi serb, forma e Vokrrit vazhdonte të ishte e mrekullueshme, ku qëndroi për tre vite para se të kalonte në Francë, më saktësisht te klubi Nimes.
Pas një kohë të shkurtër te Nimes, Vokrri iu bashkua Fenerbahce ku qëndroi për tre vite para se të kthehej sërish në Francë, vetëm se këtë herë te klubi Bourges, ku kaloi një edicion para se të transferohej te Montloucon Foot, skuadër ku edhe u pensionua.
Kujtojmë së tashmë emrin e legjendës së futbollit shqiptar e mban stadiumi i Prishtinës, aty ku ‘Dardanët’ i zhvillojnë sfidat ndërkombëtare.























