Zelenskyy: Donbasi po reziston, ndryshe nga parashikimet e Moskës
   Ukraina

Zelenskyy: Donbasi po reziston, ndryshe nga parashikimet e Moskës

VoA

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se askush nuk e di se sa do të zgjasë lufta në vendin e tij, por shtoi se forcat ukrainase vashdojnë të sfidojnë pritshmëritë, duke mos lejuar trupat ruse që të pushtojnë Ukrainën lindore. Në këtë rajon luftimet kanë qenë nga më të ashprat, për javë të tëra.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes zoti Zelenskyy tha se ishte krenar për mbrojtësit e Ukrainës, që ia dolën të frenonin siç tha, përparimin e trupave rusë në rajonin e Donbasit. Separatistët e mbështetur nga Moska kanë kontrolluar pjesën më të madhe të territorit për tetë vjet.

"E mbani mend se si në Rusi, në fillim të majit, ata shpresonin të kapnin të gjithë Donbasin?!", tha presidenti ukrainas në fjalimin e tij të shtunën në mbrëmje. “Tashmë jemi në qershor, është dita e 108-të e luftës dhe Donbasi vazhdon të rezistojë”, shtoi ai.

Pasi dështoi me planet e saj për të pushtuar Kievin, në fillim të luftës, Moska u përqendrua në kapjen e rajoneve kryesisht rusishtfolëse të Donbasit, që vazhdojnë të jenë nën kontrollin e Ukrainës, si dhe të bregdetit jugor të vendit. Por ndryshe nga parashikimet, forcat ruse po përballen me një betejë të gjatë dhe të mundimshme, pjesërisht falë përdorimit të armëve që Ukraina ka marrë nga Perëndimi.

Autoritetet ukrainase dhe ruse thanë se beteja për Sievierodonetskun vazhdon. Qyteti lindor kishte një popullatë prej 100,000 banorësh para luftës. Sievierodonetsku dhe Lysychansku fqinj, janë qytetet e fundit kryesore të provincës Luhansk të Donbasit, që nuk kanë rënë në duart e rebelëve pro-rusë.

Leonid Pasechnik, kreu i Republikës Popullore të Luhanskut, të shpallur nga separatistët, tha se luftëtarët ukrainas ndodhen në një zonë industriale të qytetit, ku ndodhet dhe një fabrikë kimikatesh, një vend që shërbeu për strehimin e civilëve gjatë sulmeve me artileri ruse.

"Sievierodonetsku nuk është i çliruar 100%", tha zoti Pasechnik të shtunën, duke pretenduar se ukrainasit po bombardonin qytetin nga uzina Azot". "Ndaj është e pamundur ta quash situatën të qetë në Sievierodonetsk, apo të thuash që është plotësisht i yni", shtoi ai.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa