Kosova e argjendtë në Kampionatin Ballkanik të Beach Volley (E plotësuar)
Uran Krasniqi/RTKLive
Dyshja kosovare Dhuratë Sylejmani/Valmira Ramadani - e drejtuar nga trajneri Edon Ibrahimi - ka arritur të shkruajë historinë e Kosovës në Kampionatin Ballkanik të volejbollit në rërë, duke u bërë ekipi i parë senior që fiton medalje në këtë kompeticion, i cili u zhvillua në Balikesir të Turqisë.
Në finale, vashat "Dardane" u mposhtën nga dyshja nga Turqia 1, Gokalp/Merve me rezultat 2-0 në sete.
Kosova, kështu, siguron vendin e dytë dhe medaljen e argjendtë në një Kampionat Ballkanik të Beach Volley për seniorë për herë të parë në histori.
Përgjatë rrugëtimit drejt finales, çifti kosovar regjistroi katër fitore dhe dy humbje për të siguruar epitetin e nënkampionit ballkanik.
"Federata e Volejbollit të Kosovës përgëzon ekipin dhe trajnerin për punën dhe paraqitjen historike të treguar në këtë kompeticion", ka shkruar FVK.
Ekipi i Kosovës në finale të Kampionatit Ballkanit në Beach Volley
Ekipi Kombëtar i Kosovës, i përbërë nga dyshja Dhuratë Sylejmani/Valmira Ramadani dhe e drejtuar nga trajneri Edon Ibrahimi, ka arritur të sigurojë finalen e madhe të Kampionatit Ballkanik të volejbollit në rërë, që po mbahet në Balikesir të Turqisë.
Sipas Federatës së Volejbollit të Kosovës, në finalen e madhe, vashat kosovare do të ndeshen me dyshen tjetër turke Gokalp/Merve, të dielën. "Përndryshe, Kosova tashmë ka regjistruar arritje historike pasi ka siguruar finalen e parë në Kampionatin Ballkanik të Beach Volley për seniorë", vlerëson FVK.























