Distria Krasniqi e artë, Flaka Loxha e bronztë
Sport

Distria Krasniqi e artë, Flaka Loxha e bronztë

Blerim Halimi / RTKlive

(E plotësuar) Pas Distria Krasniqit një tjetër xhudiste kosovare ka arritur sukses ditën e sotme në Lojërat Mesdhetare Oran 2022. Derisa Distria doli kampione në kategorinë deri 52 kg, është Flaka Loxha e cila ka arritur që Kosovës t’ia sjellë edhe një medalje të bronztë në kategorinë deri 57 kg.

Flaka në luftën për medalje të bronztë e ka mundur turken, Hasret Bozkurt. Flaka në çerekfinale humbi me Ippon nga italiania Giulia Caggiano dhe pastaj u detyrua që medaljen ta synojë nëpërmjet repesazhit. Në luftën e parë fitoi kundër Maria Ruiz Muro, derisa në luftën vendimtare ishte më e mirë se turkja, Bozkurt, pas një lufte shumë të fortë. Për xhudisten 23-vjeçare nga Peja ky është suksesi më i madh në karrierë.

Të enjten e të premten garojnë Loriana Kuka, Akil Gjakova, Laura Fazliu, Arbër Kullashi e Shpati Zekaj.

Çeku për suksesin e Distrisë: Krenari dhe emocion i madh

Pas suksesit të Distria Krasniqit në Lojërat Mesdhetare, ku e fitoi medaljen e artë në garat e xhudos, ka reaguar ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku.

Ai në profilin e tij në “Facebook” ka thënë se ky moment përbën një emocion dhe krenari të madhe.

“Xhudistja jonë Distria Krasniqi përsëri e artë. Krenari dhe emocion i madh, një paraqitje fantastike e saj në Lojërat Mesdhetare në Oran të Algjerisë. Faleminderit Distrias por dhe të gjithë sportistëve tanë për përfaqësimin dinjitoz të shtetit tonë në këto gara. Me punën dhe përkushtimin tuaj jeni shndërruar në frymëzim për të rinjtë e për të gjithë ne", ka shkruar Çeku.
 

Distria Krasniqi shkëlqen në Oran, fiton të artën në Lojërat Mesdhetare

Kampionia olimpike, Distria Krasniqi e ka shtuar një tjetër medalje në vitrinën e saj të pasur. Xhudistja jonë ka fituar medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Oran të Algjerisë.

Kjo njëherësh është medalja e parë për Kosovën në këtë aktivitet. Kësisoj, Distria pas suksesit në Evropian, Botëror dhe në Olimpiadë, ka arritur të triumfojë në Lojërat Mesdhetare, duke shënuar një tjetër sukses për xhudon dhe për sportin kosovar në përgjithësi.

Distria ishte bartëse në kategorinë deri 52 kilogramë dhe ashtu siç pritej i shkoi deri në fund kësaj gare. Në xhiron e parë ajo pushoi si bartëse e garës, teksa në xhiron e dytë, përkatësisht në çerekfinale e mposhti qiprioten Sofia Asvesta. Në gjysmëfinale Distria ishte më e mirë se spanjollja Ana Perez Box, derisa në finale arriti ta mposhtë kroaten Ana Viktorija Puljiz, me Ippon.

Kjo është hera e dytë që Distria arrin medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare, pasi para katër vjetësh kishte triumfuar edhe në Tarragona të Spanjës.

Distria Krasniqi siguron medalje për Kosovën në “Oran 2022”

Uran Krasniqi/RTKLive
Distria Krasniqi tashmë ka siguruar medalje nga Lojërat Mesdhetare "Oran 2022". Krasniqi gjendet në finale dhe ajo edhe nëse do të mposhtej do të merrte të argjendtën. Ajo ka fituar gjysmëfinalen me Ana Perez të Spanjës, duke u kualifikuar në finalen e kategorisë -52 kg.


Distria Krasniqi nis mbarë Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”

Distria Krasniqi ka nisur mbarë garimin në Lojërat Mesdhetare Oran 2022, duke mundur qiprioten Sofia Asvesta, kategoria 52 kg.

Kësisoji kampionia olimpike dëshmoi cilësitë edhe në këto gara.

Krasniqi tashmë në gjysmëfinale do të ndeshet me spanjollen Ana Isabel Perez Box.

Ajo e kaloi raundin e parë pa luftë. 


APR
Romay Lift