RTK Prime, debat për Specialen dhe anulimin e vizitës së Trendafilovës
BKT
Lajme

RTK Prime, debat për Specialen dhe anulimin e vizitës së Trendafilovës

Blerim Halimi / RTKlive

Në emisionin e sotëm debatues “RTK PRIME” po trajtohet tema e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, përkatësisht raporti i punës për vitin 2021 i këtij institucioni, i publikuar një ditë më parë.

E lidhur me këtë temë ftuar të gazetarit Bashkim Vishaj janë deputetja Ganimete Musliu nga Partia Demokratike e Kosovës, Qëndron Kastrati nga Partia Socialdemokrate e Kosovës, Medina Kadriu nga Instituti i Kosovës për drejtësi dhe Artan Behrami, ish-këshilltar i presidentit Hashim Thaçi. Gjatë këtij debati do të diskutohet edhe për anulimin e vizitës në Kosovë të kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova. Kjo e fundit është dashur të vijë në Kosovë me 4 korrik, për të debatuar me shoqërinë civile dhe mediat në Gjilan, por sot është njoftuar se kjo vizitë është anuluar dhe takimin e saj, ajo do ta mbajë vetëm online.

Musliu: Gjykata Speciale ka devijuar

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu komentet rreth anulimit të vizitës së Trendafilovës në RTK Prime i ka filluar me një batutë: “Na paska marrë në qafë që s’po vjen”, ka thënë ajo.

Tutje Musliu ka thënë se nuk i di arsyet që Trendafilova nuk ka ardhur dhe ka shprehur shpresën se do të jepet një saqrim pse është anuluar vizita e saj.

“Nuk e di çfarë PR ka me ndreq. Nuk është koha që Trendafilova apo kushdo tjetër të vijë në Kosovë për gjoja ta ndreq imazhin e Gjykatës Speciale. Krejt çka duhet të bëjë Trendafilova dhe të tjerët atje, duhet të punojnë drejtë dhe në vijë me atë për çka është themeluar dhe është votuar Gjykata Speciale”, ka theksuar Musliu.

Sipas saj tashmë të gjithë e kanë të qartë se gjithçka ka devijuar në punën dhe proceset e Gjykatës Speciale.

“Ne si Kuvend kemi themeluar një Gjykatë për të trajtuar supozimet dhe të gjeturat e Dick Martyt sipas librit të Carla Del Pontes. E ne e dimë se deri tani askush nuk merret me ato supezime dheçdo raportim që e kemi nga kjo Gjykatë po del që ajo është më shumë se shtet në veti”, ka thënë Musliu.

Kastrati: Gjykata ka qëllim ta damkosë UÇK-në

Qendron Kastrati nga PSD ka thënë se duhet reagim qytetarë për shfuqizimin e Speciales. “Përderisa skena politike, në veçanti qeveria nuk është duke u përpjekur ta korrigjojë një gabim, grackë që ka ndodhur, të paktën qytetarët do të duhej të protestojnë, se është e qartë qysh ka ardhur deri tek ajo rezolutë. Kjo gjykatë ka një qëllim të qartë ta damkosë UÇK-në”, ka thënë Kastrati.

“Ka qenë e mundur të shfuqizohet ky ligj, të rishqyrtohej dhe të shihej mënyra për të vazhduar tutje. Dhe nëse e sheh se të është bërë një grackë, duhen ndërmarrë veprime. Çfarë mund të bëjë qeveria? Mund të angazhojë organizata, personalitete me kredibilitet në drejtësi ndërkombëtar, të cilët do të bëjnë një analizë. Ne e kemi një raport të shkëlqyeshëm prej IKD-në, por as këta nuk kanë mbështetur financiarisht, as në ndonjë mënyrë tjetër. Është dashur një ambasadë e një shteti tjetër ta përkrahë një raport ose një analizë tjetër. Qeveria në këtë kohë i përmend vetëm shpenzimet”, shtoi Kastrati.


MË SHUME NGA Lajme