200 milionë euro për ndërtimin e një ekip të ri
BKT
Sport

200 milionë euro për ndërtimin e një ekip të ri

Fatmir Bytyqi /RTKlive

Barcelona ka bërë gati 200 milionë euro për tregun e kësaj verë për të blerë katër lojtarë të rinj me të cilët do të formojë një ekip krejtësisht të ri, raporton Mundo Deportivo.

Edhe pse jo në situatën më të mirë ekonomike, megjithatë, Barça arriti t'i sigurojë Xavi para të mjaftueshme për të ndërtuar një ekip sipas dëshirës së tij.

Barcelona tashmë ka rënë dakord për blerjen e Franck Kessie nga Milani dhe Andreas Christensen nga Chelsea, por ky është vetëm fillimi. Ylli i madh që mund të zbresë në ‘Camp Nou’ këtë verë, është Robert Lewandowski, të cilin katalonasit prej javësh janë duke u përpjekur që ta transferojnë, transmeton RTKLive.com.

Bayerni ende s’heq dorë nga Lewa

Bayerni Munich nuk do të heq dorë lehtë nga sulmuesi polak, edhe pse Lewa tashmë e ka thënë disa herë se nuk e sheh veten më në Munich dhe se dëshiron të largohet. Siç raportohet, Barcelona është gati të paguajë rreth 40 milionë euro për të, ofertë kjo që thuhet së ‘bavarezët’ do ta pranojë në fund të kësaj ‘telenovele’.

Përveç Lewandowskit, Barcelona e kërkon edhe Raphinha-n nga Leeds United, edhe pse Chelsea tani është futur seriozisht në garë për të duke i ofruar Leeds-it 70 milionë euro. Oferta e londinezëve është shumë e madhe për Barcelonën, por ‘Mundo’ pretendon se ‘blaugranat’ do të përpiqen t'i afrohen të paktën asaj shumë dhe të përdorin reputacionin e klubit për të bindur brazilianin që të transferohet në ‘Camp Nou’.

Çmimi joreal i Cityt për Bernardon

Bernardo Silva i Manchester Cityt është një tjetër lojtar që kërkohet nga Barcelona.

Mediat angleze bëjnë të ditur se Manchester City kërkon hiç më pak se 100 milionë euro për Bernardo Silvën, por për të gjithë është e qartë se ky çmim është joreal. Guardiola nuk dëshiron të heqë qafe portugezin e tij kaq lehtë, por mësohet së Bernardo do të ishte i lumtur të kalonte te Barça. Negociatat janë mes Barcelonës dhe Cityt janë duke vazhduar.

Kounde, dëshira e Xavit

Rreth transferimeve, sipas ‘Mundo Deportivo’ dëshira e madhe e Xavit është Jules Kounde i Sevillas. Mbrojtësi francez ka një klauzolë lirimi prej 80 milionë euro, shifër kjo që është shumë e lartë për Barcelonën, të cilët ofrojnë 60 milionë euro plus një lojtar.