FFK krenar me Kallaba-n që po ndan drejtësinë në fazën finale
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Gjyqtarët kosovarë vazhdojnë ta pushtojnë arenën ndërkombëtare me ndarje të drejtësisë në ndeshje shumë të rëndësishme.
E tillë është edhe gjyqtarja Florentina Kallaba e cila po e gjykon në fazën finale Euro 2022 në futsall.
Numri një i FFK-së, Agim Ademi e ka përgëzuar atë për përformancën në ndeshjen Portugalia – Hungaria, duke thënë se prezantimi i FFK-së në këso evenimente po e bën krenar.
“Krenar që Federata e Futbollit e Kosovës po përfaqësohet nga gjyqtarja Florentina Kallaba në fazën finale të UEFA Euro 2022 në futsall. E përgëzoj për ndarjen e drejtësisë në ndeshjen gjysmëfinale ndërmjet Portugalisë dhe Hungarisë. Uroj që sa më shumë gjyqtare e gjyqtarë të kemi në nivele të tilla. Futbolli i Kosovës ka ecur para në çdo segment, falë përkushtimit dhe punës profesionale të të gjithëve. Në këtë drejtim jemi duke krijuar edhe ekipin e gjyqtareve për futboll me stema të FIFA-s, teksa jemi në pritje të pajisjes me stemë të FIFA-s edhe të një ekip tjetër të gjyqtarëve pas propozimit të bërë nga Komisioni i Gjyqtarëve në FFK”, ka shkruar Ademi.























