Dita e Ballkanit, sot debuton në Champions
Sport

Dita e Ballkanit, sot debuton në Champions

B. Halimi / RTKlive

Ballkani sot debuton në Evropë. Skuadra kampione e Kosovës do të përballet me kampionin e Lituanisë, Zhalgiris, në kuadër të raundit të parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, ndeshje e cila zhvillohet në stadiumin "Fadil Vokrri" me fillim në orën 20:00.

Kjo është hera e parë që kampioni i Kosovës luan direkt në këtë raund të garave, ngase në vitet e mëparshme fillimisht luante në parakualifikime. Përballë skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja do të jetë kampioni i Lituanisë, Zalgiris. Portokallezinjtë nga Suhareka, të hënën, e kanë zhvilluar stërvitjen e fundit para këtij dueli të rëndësishëm në stadiumin “Fadil Vokrri”, teksa trajneri Daja në konferencën për media ka thënë se skuadrën e tij e pret një përballje e vështirë. Ai ka thënë se mungesa e përvojës në garat evropiane për Ballkanin, por edhe fakti që Zalgiris është një skuadër që ka fituar shumë trofe në Lituani dhe që tashmë është në ritëm të lojëve pasi atje ka filluar kampionati i ri, e bëjnë këtë ndeshje të vështirë. Pritet që kampioni i Kosovës të ketë përkrahje të madhe të tifozëve. Në rast se e kalon me sukses këtë kundërshtar pas dy ndeshjeve, atëherë Ballkani në rrethin e dytë do të ballafaqohet me skuadrën e njohur suedeze, Malmo.

E këtë javë në skenën evropiane do të prezantohen edhe Drita, Llapi e Gjilani që do të luajnë në rrethin e parë të Ligës së Konferencës.


APR
Romay Lift