Prishtina nis përgatitjet, paralajmëron edhe të tjera përforcime
Sport

Prishtina nis përgatitjet, paralajmëron edhe të tjera përforcime

Uran Krasniqi/RTKLive

Prishtina ka nisur përgatitjet për edicionin e ri. Përmes një komunikate që e ka lëshuar sot ka bërë të ditur se ardhja e lojtarëve të rinj pritet të ndodhë ende.

"Nën disiplinë të madhe, punë me shumë seriozitet e angazhim maksimal, batuta të herë pas hershme dhe dëshirë për te ardhur në stërvitje, tash e disa ditë FC Prishtina me kryetrajnerin e ri, Ismet Munishi, i ka nisur përgatitjet për edicionin e ri që starton në muajin gusht", ka njoftuar klubi.

Sipas komunikatës, faza e parë e përgatitjeve po kryhet në kryeqytet derisa po shfrytëzohet për stërvitje tartanin i stadiumit “Fadil Vokrri” si dhe kompleksi i klubit në Bërnicë.

"Skuadra po përgatitet nga dy herë në ditë dhe transferet e reja janë përshtatur shumë mirë me grupin ndërsa për fat të mirë, asnjë futbollist nuk ka shfaqur probleme fizike dhe ndonjë lëndim deri më tash", ka komunikuar klubi kryeqytetas.

Klubi ka njoftuar se Munishi me ndihmësit e tij, Debatik Curri, Armend Simnica dhe trajnerin e portierëve, Ahmet Becelica i kanë inkuadruar në ekipin e parë edhe disa lojtarë nga skuadra e juniorëve, të cilët po tregojnë vullnet për punë dhe përkushtim maksimal.

"Skuadra e Prishtinës që sivjet e feston 100-vjetorin e themelit si klub, duket krejtësisht ndryshe në ditët e para te përgatitjeve", ka theksuar Prishtina.

Sipas komunikatës, Endrit Baholli, Mërgim Pefqeli, Besir Ramadani, Ramiz Bytyqi, Marclei Santos, Egzon Bislimi, Gentrit Dumani, Muhamed Useini, Butrit Bulliqi dhe Ardi Ajdini janë lojtarët që deri më tash i janë bashkuar edhe zyrtarisht “bardhekaltërve”. 

"Mirëpo kryesia e klubit nuk e ka mbyllur "kuletën" me ç'rast në ditët në vijim do të prezantohen edhe ardhje të reja në ekip", ka shkruar klubi me histori njëqind vjeçare në futbollin kosovar.


MË SHUME NGA Sport