Mentor Mazrekaj kualifikon Laçin, ra Partizani
BKT
Sport

Mentor Mazrekaj kualifikon Laçin, ra Partizani

SS

Goli i Mentor Mazrekaj i jep fitoren dhe kualifikimin Laçit ndaj malazezëve të Iskras.

Pas barazimit 0-0 në “Elbasan Arena”, bardhezinjtë e Shpëtim Duros arritën të fitonin minimalisht në ndeshjen e luajtur në Podgoricë, duke siguruar kalimin në raundin e dytë të Conference League.

Ashtu si në ndeshjen e parë, Laçi ishte më këmbëngulës, dominoi dhe u shpërblye, duke vijuar paraqitjet pozitive në arenën ndërkombëtare. Minutat e para të ndeshjes ishin të ekuilibruara me kurbinasit më kërkues, por në anën tjetër dhe vendasit tentuan që të lënë shenjë, por pa e vënë në rrezik serioz portierin Dajsinani.

Në të 19-ën u regjistrua episodi që bëri diferencën, me Mentor Mazrekajn që tregoi klasin e tij.

Kapiteni ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi që nuk u devijua dot nga askush, me topin që u ndal në trekëndëshin e portës së Iskrës.

Laçi në avantazh, dhe gjithçka u bë me e lehtë për skuadrën kurbinase. Në vijim e deri në fund, bardhezinjtë humbën disa raste të pastra. Adeleke dhe Guindo ishin rrezik potencial në kundërsulme, megjithatë pa arritur të gjenin rrugën e rrjetës.

Pjesë e dytë kishte të njëjtën fytyrë si e para, me Laçin që e menaxhoi mjaft mirë ndeshjen, duke marrë rezultatin që i mjaftoi për të marrë kualifikimin në raundin e dytë. Shumë raste të pa konkretizuara, por në fund festë shqiptare në Podgoricë.

Hera e pestë në gjashtë vitet e fundit që kurbinasit arrijnë që të kalojnë minimalisht një tur, duke dëshmuar se në Europë e kanë recetën e suksesit. Kundërshtarët e radhës për Laçin do të jenë moldavët e Petrocub, të cilët eliminuan maltezët e Florianas.

Ndërkaq, aventura e Partizanit në Evropë merr fund, me të kuqtë që u mposhtën 0-1 në kohën e rregullt nga gjeorgjianët e Saburtalos dhe nga pika e bardhë e penalltive, fati u buzëqeshi miqve, që fituan 5-4 dhe kaluan në turin tjetër.

E si të mos mjaftonte eliminimi, nuk mungoi as tensioni në fund, me tifozët që hodhën një kapsolle pranë portierit gjeorgjian, i cili mbeti i shtrirë, ndërsa më pas fluturuan edhe disa shishe uji në fushë, të cilat Partizani do t’i paguajë me një gjobë të majme.

Pjesa e parë pa gjeorgjianët më kërkues, të cilët jo vetëm kontrolluan topin, por krijuan edhe disa raste të pastra, megjithatë portieri Teqja u konfirmua në super-formë dhe dërgoi skuadrën në pushim me portën e paprekur.

Sfida u zhbllokua në minutën e 53-të nga Guliashvili, që pas një aksioni të shpejtë të Saburtalos, e pa veten i lirë përballë portierit dhe e dërgoi topin në rrjetë me lehtësi, duke u dhënë avantazhin miqve.