RTK sjell spektaklin e madh të boksit “The Show Must Go On”
RTK
FIDE Sport Promotions me partner MD News dhe me partner medial RTK, sjellin të premten mbrëmjen e madhe të boksit në Ferizaj ku do të performojnë boksierët tashmë të dëshmuar në ringun e boksit profesionist.
Kryesuesit e këshillit organizativ të turneut me këtë rast mbajtën konferencë për media në të cilën shpalosën disa nga detajet kryesore për ngjarjen e madhe e cila do të zhvillohet të premten në Ferizaj dhe do të transmetohet drejtpëdrejt në RTK.
Gjithsej do të zhvillohen tetë meçe në kategori të ndryshme në ngjarjen e parë të këtij formati që do të organizohet në vendin tonë.
Për menaxheren e FIDES Sport Promotion Nadine Rasch dhe pronarin e MD News Karsten Tolkamp “kjo pritet të jetë një mbrëmje e madhe dhe sprovë e vërtetë për Kosovën në organizime të tilla”.
Match-makeri i kësaj ngjarje Artan Vërbica shpalosi plan-programin e aktivitetit të parë të llojit të tillë që do të organizohet në Kosovë.
Ndërkohë fokusi më i madh në mbrëmjen e datës 29 Korrik do të jetë te Elvis Hetemi që do të performoj për titullin BDB dhe Kosova International në kategoinë super të mesme, ndaj gjermanit Denis Altz.
Nga ana tjetër Fabiana Bytyqi është gati për ta mbrojtur titullin e botës WBC në Atom, ndaj meksikanes Elizabethe Lopez Cosrso. 26 vjeçarja me prejardhje nga Kosova që mbron ngjyrat e Çekisë, deri tani është e pamposhtur në 20 duele prej të cilave 19 fitore dhe një barazim.
Edhe Benjamin Gavazi, do të sfidohet për titullin BDB International në kategorinë gjysmë të rëndë ndaj gjermanit Andreas Masould
Ndërkohë nipi i legjendës Luan Krasniqi, Ardiani i cili ka debutuar me fitore në boksin profesionist në meçin e dytë në karrierën e tij në këtë disciplinë do të sfidohet nga hungarezi Attila Orso.
Nga ana tjetër Agim Krasniqi, foli për bashkëpunimin e mirë që kanë pasur me promotorin e kësaj ngjarje me çka shpreson se nuk do të jetë hera e fundit.
Të mërkurën nga ora 19:30 deri në 20:15 në sheshin kryesor të Ferizajt do të mbahet show-boksing, ndërsa të enjten nga ora 14:00 në Prishtinë do të bëhen matjet zyrtare të boksierëve.
Të premten mbrëmja e boksit fillon nga ora 18:30 në palestrën Bill Clinton në Ferizaj, ndërsa nga ora 20:30 do të transmetohen drejtpërdrejt në RTK meçet kryesore të kësaj ngjarje.























