Armando Broja, kryefjala e merkatos kuqezi
BKT
Foto: RTSH
Sport

Armando Broja, kryefjala e merkatos kuqezi

RTSH

Evertoni është në kërkim të një sulmuesi për ta zëvendësuar Riçarlisonin e larguar gjatë kësaj merkatoje vere. E përditshmja e njohur britanike, “Daily Mail”, ka bërë të ditur se trajneri Frank Lampard ka kërkuar nga drejtuesit e klubit të nisin negociatat me Çellsin për sulmuesin shqiptar, Armando Broja.

Ky i fundit shihet si zëvendësues ideal për Riçarlisonin në fazën e sulmit. Shtatlarti kuqezi mund të shitet gjatë kësaj vere nga klubi londinez në rast të ndonjë oferte të majme. Sipas asaj që raporton e përditshmja në fjalë, Lampardi po e kërkon me ngulm transferimin e 20-vjeçarit, që po kërkohet edhe nga skuadra të njohura evropiane.

Madje atyre u është shtuar edhe Reali i Madridit, siç raportoi të premten “The Evening Standard”. Edhe mediat spanjolle raportuan gjatë javës se bëhet e ditur se Broja po pëlqehet nga skuadra madrilene, e cila do të tentojë t’i sigurojë shërbimet e tij. Broja është pjesë e Çellsit dhe sezonin e shkuar pati paraqitje të mira në huazim te Sauthemptoni. Por, sidoqoftë, shqiptari pret ende të mësojë rreth të ardhmes së tij tek blutë e kryeqytetit britanik.

Nga një anë, ofertat nuk mungojnë, ndërsa nga tjetra, klubi londinez duket se ka ndër mend t’i japë hapësira lojtarit në të ardhmen dhe e sheh si një alternativë për repartin e avancuar të Tomas Tuhel. Megjithatë, dyshimet rreth qëndrimit apo jo të tij vazhdojnë dhe kjo shihet edhe nga fakti se klubi nuk i ka besuar ende një numër fanellë sulmuesit shqiptar.

Broja luajti titullar në miqësoren ndaj Udinezes duke mbajtur të veshur fanellën me numrin 39 në këtë sfidë. Edhe në faqen e klubit, emri i Brojës shfaqet në përbërjen e ekipit të parë të londinezëve. Por ndryshe nga shumë futbollistë të tjerë të bluve, për të nuk është caktuar ende numri i fanellës i cili zakonisht shoqëron foton e futbollistëve.