Mediumi i madh italian çon në qiell kapitenin e ‘Dardanëve’
Rtklive
Sport

Mediumi i madh italian çon në qiell kapitenin e ‘Dardanëve’

Fatmir Bytyqi /RTKlive

Mbrojtësi kosovar i Napolit, Amir Rrahmani tashmë është një nga lojtarët kryesor tek skuadra italiane.

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, tashmë është një lider i ri tek ‘napolitanët’ pas largimit të Kalidou Koulibaly, i cili iu bashkua Chelseat.

Ylli i ‘Dardanëve’ ka impresionuar në ndeshjet përgatitore me ekipin këtë verë. Ai do ta nisë sezonin e tretë në Napoli. I kishte 16 paraqitje në të parin, ndërsa ishte titullar i padiskutueshëm në të dytin. Tash e pret një tjetër sezon prej protagonisti.

“Ish-futbollisti i Veronës është mjaft funksional për lojën e trajnerit Spalletti, jo vetëm për aftësinë për ta mbyllur fazën defensive dhe për aftësinë solide të lojës në ajër, por edhe për faktin se ka kapacitet ta qarkullojë mirë topin. Ai do të jetë një pikë referimi për prurjet e reja të repartit defansiv. Ai i njeh mirë krejt mekanizmat e lojës dhe lëvizjet e vijës së fundit”, shkruan mediumi italian “Il Mattino”.

Rrahmani, i cili i ka 47 paraqitje me Kombëtaren e Kosovës, ka luajtur në Evropa Liga me Lokomotiv Moskën dhe me Dinamo Zagrebin për dy sezone radhazi dhe me Napolin. Këtë vit do ta ketë mundësinë të luajë për herë të parë në Ligën e Kampionëve.


MË SHUME NGA Sport