Driton Krasniqi vendoset drejtor i ri sportiv te Prishtina
Sport

Driton Krasniqi vendoset drejtor i ri sportiv te Prishtina

Uran Krasniqi/RTKLive

Driton Krasniqi është zgjedhur drejtor i ri sportiv te Prishtina. Për emërimin e tij në pozitë ka njoftuar vetë klubi.

"FC Prishtina ka nisur që të marrë pamje të re në javët e fundit. Pas emërimit të presidentit të ri të klubit, Hakif Gashi, klubi “bardhekaltër” së fundmi e ka emëruar edhe drejtorin e ri sportiv.

Kjo pozitë i është besuar ish-futbollistit të mirënjohur të ekipit tonë, Driton Krasniqi.

Ish-mesfushori vjen nga qyteti i Prishtinës dhe si futbollist ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ekip duke i fituar të gjithë titujt e mundshëm në futbollin e Kosovës me Prishtinën.

“Driti” ka bërë karrierë në Kosovë edhe të KEK-u, kurse në Shqipëri te Besa e Kavajës, Tomori i Beratit dhe Shkumbini i Peqinit me ç'rast me Besën është paraqitur në më shumë se 20 ndeshje në garat evropiane.

37-vjeçari ditën e sotme është prezantuar si drejtor i ri i Prishtinës nga presidenti Hakif Gashi", ka njoftuar klubi kryeqytetas.

"Do të punojmë shumë në vazhdimësi jo vetëm në këtë edicion, mirëpo edhe në të ardhmen që ta formojmë një Prishtinë shumë të fortë jo vetëm për Kosovë, por edhe për Evropë. Objektivat e klubit sa i përket Kosovës dihen dhe nuk kanë nevojë që të përmenden", ka thënë Krasniqi.


MË SHUME NGA Sport