Ten Hag “ndëshkon” skuadrën
Rtklive
Sport

Ten Hag “ndëshkon” skuadrën

RTSH

Pasi e quajti si një “mbeturinë” paraqitjen e skuadrës së tij në kampionat, trajneri i Manchester United, tepër i zemëruar e ka anuluar ditën e pushimit të planifikuar dhe i ka urdhëruar lojtarët të stërviten në qendrën stërvitore të klubit në Carrington.

Ten Hag e ndëshkoi ekipin e tij duke i detyruar futbollistët të vrapojnë rreth 13 km, ndërsa temperatura ishte mbi 30 gradë.

“Sportsmail” raporton se, sipas stafit drejtues të United, disa lojtarë nuk janë stërvitur si duhet. Cristiano Ronaldo, edhe pse po stërvitet mirë, thuhet se po ndikon negativisht në dhomën e zhveshjes.

Megjithatë klubi ka hedhur poshtë zërat se kontrata e Ronaldos mund të anulohet dhe përsëriti faktin se ai është duke qëndruar në klub.

Ten Hag vendosi të godasë kështu yjet e skuadrës së tij pas dy humbjeve të turpshme në kampionat. Ai është trajneri i parë i United në më shumë se një shekull që humbet dy ndeshjet e para të premier Ligës e 20 herë kampionët e Anglisë janë në fund të tabelës së renditjes. United është në prag të një krize të plotë.

Në këtë situatë, Ten Hag do të përdorë këto dy humbje për të synuar prurje të reja në skuadër, përpara mbylljes së merkatos së verës më 1 shtator. Ai është ende duke pritur për një mesfushor mbrojtës dhe një sulmues. United shpreson të përfundojë një marrëveshje me vlerë 19 milionë paund për mesfushorin e Juventusit, Adrien Rabiot.

Ndërsa në sulm United kërkon një nga këta lojtarë, Gakpo të PSV Eindhoven për 35 milionë paund, si dhe Alvaro Morata e Mauro Icardi.


MË SHUME NGA Sport