Begaj reagon pas ngjarjes në uzinën e armëve në Gramsh
Emine Hoti/RTKlive
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka reaguar për ngjarjen e mbrëmshme në uzinën e armëve në Gramsh ku u plagosen dy ushtarë shqiptarë.
Begaj ka thënë se mbështet zbardhjen e ngjarjes dhe parandalimin e çdo situate që cenon sigurinë kombëtare.
“Ngjarjen në uzinën e Gramshit po e ndjek me vëmendje. Në komunikim të vazhdueshëm me SHPFA, strukturat e shërbimeve informative & ato ligjzbatuese, të cilat i inkurajoj & mbështes për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e çdo situate që cënon sigurinë kombëtare”, ka shkruar ai në Twitter .
Presidenti Begaj gjithashtu ka shprehur mirënjohje për ushtarët e plagosu dhe u ka uruar atyre shërim të shpejtë.
“Mirënjohje për dy efektivët e Forcave të Armatosura, të cilëve u uroj shërim të shpejtë!”, ka shkruar Begaj.
Ndryshe, dy ushtarë shqiptarë, roje të fabrikës së prodhimit të armëve në qytezën e Gramshit, janë sulmuar të shtunën nga 3 shtetas rusë e ukrainas.
Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë e ka konfirmuar sulmin dhe ka njoftuar se sulmuesit janë arrestuar.























