Shiroka Pula: Aktgjykimi i sotëm ngre shqetësime për të drejtat e Thaçit e të tjerëve
E.Hoti/RTKlive
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka reaguar lidhur me aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, për akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë, duke shprehur shqetësime për respektimin e të drejtave të palëve.
Në reagimin e saj, presidentja ka theksuar se çdo institucion i Republikës së Kosovës, përfshirë Dhomat e Specializuara, duhet të veprojë në përputhje me juridiksionin e përcaktuar në Kushtetutë dhe të respektojë të drejtat e garantuara me Kapitullin II dhe nenin 22 të Kushtetutës.
“Çdo proces gjyqësor duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë, duke garantuar të drejtat e të akuzuarve dhe respektimin e procedurave ligjore”, thuhet në reagim.
Presidentja ka vlerësuar se aktgjykimi i sotëm i Dhomave të Specializuara ngre shqetësime lidhur me respektimin e të drejtave të palëve.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, thuhet në reagim, ku shprehet pritja që edhe Dhomat e Specializuara të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë, përfshirë të drejtën e ankimit.
Presidentja ka theksuar gjithashtu se kontributi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri dhe pavarësi, si dhe sakrifica e popullit të Kosovës, janë pjesë e historisë së vendit dhe nuk mund të vihen në pikëpyetje nga proceset gjyqësore.






















