Sveçla: Askush nuk mund t’i shmanget drejtësisë
BKT
Lajme

Sveçla: Askush nuk mund t’i shmanget drejtësisë

G.K/RTKlive

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vlerësuar punën e Policisë së Kosovës, AKI-së dhe Prokurorisë për identifikimin dhe arrestimin e dy të dyshuarve për grabitjen e armatosur në Gjakovë, duke theksuar se askush që kryen vepra kriminale nuk mund t’i shmanget drejtësisë.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla e ka cilësuar si zbulueshmëri rekorde identifikimin e autorëve të dyshuar të grabitjes, gjatë së cilës u plagos një qytetar.

“Falë punës intensive hetimore dhe veprimit efikas të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, AKI-së dhe Prokurorisë, mbrëmë janë identifikuar, ndërsa sot janë arrestuar dy të dyshuarit për grabitjen e armatosur të kryer dje në mesditë në Gjakovë, gjatë së cilës u plagos një qytetar dhe u rrezikua siguria e të tjerëve”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka theksuar se ky rezultat dëshmon profesionalizmin dhe përkushtimin e Policisë së Kosovës.

“Ky rezultat dëshmon profesionalizmin dhe përkushtimin e Policisë së Kosovës, por njëkohësisht përcjell një mesazh të prerë për këdo që zgjedh rrugën e kriminalitetit. Askush që kryen vepra kriminale nuk mund t’i shmanget drejtësisë. Çdo kryes do të identifikohet dhe do të japë përgjegjësi para organeve të drejtësisë”, ka deklaruar ministri.

Sveçla ka theksuar gjithashtu se siguria dhe qetësia e qytetarëve mbeten prioritet.

“Nuk do të lejojmë që individë të tillë të cenojnë sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve tanë. Sundimi i ligjit dhe mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve mbeten të panegociueshme”, ka përfunduar ai.


MË SHUME NGA Lajme