Iniciativa `Jo në emrin tim` proteston para zyrës së BE-së kundër vendimit ndaj Thaçit
Edona Podvorica /RTK
Iniciativa qytetare “Jo në emrin tim” ka organizuar një aksion simbolik dhe konferencë për media para zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, pas vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e ish-presidentit Hashim Thaçi me 17 muaj burgim në rastin për pengim të drejtësisë.
Përmes këtij aksioni, organizatorët kanë kundërshtuar atë që e konsiderojnë standard të dyfishtë në trajtimin gjyqësor të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përfaqësuesi i iniciativës, Çlirim Haziri, ka thënë se nuk janë kundër drejtësisë, por kërkojnë që ajo të jetë e paanshme dhe të zbatohet njësoj për të gjithë. Ai ka ngritur shqetësime lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut, garancive procedurale dhe të drejtës për një gjykim të drejtë.
Duke krahasuar dënimet e shqiptuara ndaj ish-udhëheqësit serb Vojislav Sheshel me atë në rastin e Hashim Thaçit, Haziri ka pretenduar se ekzistojnë standarde të ndryshme të trajtimit gjyqësor.
“Ne nuk po kërkojmë imunitet për askënd. Nuk po kërkojmë që krimet të mbeten pa u ndëshkuar. Po kërkojmë barazi para ligjit dhe standarde të njëjta të drejtësisë, pavarësisht përkatësisë kombëtare të të akuzuarve”, ka deklaruar Haziri.
Ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos heshtë përballë këtyre shqetësimeve, ndërsa ka paralajmëruar organizimin e protestave të tjera nëse, siç ka thënë, vazhdon heshtja institucionale.
“Të drejtën tonë për protestë e ruajmë dhe do ta shfrytëzojmë çdo herë që do të ketë nevojë. Nëse vazhdohet me këtë heshtje institucionale, po edhe me heshtjen e institucioneve evropiane, ne nuk do të mund të qëndrojmë të heshtur”, ka thënë ai.
I pyetur për projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, Haziri është shprehur i bindur se ai do të votohet në Kuvend. Ai ka thënë se iniciativa nuk e përjashton mundësinë e ndryshimeve në përmbajtjen e tij, nëse vlerësohet se janë të nevojshme.






















