Arrestohen dy të dyshuar për grabitjet e dy argjendarive në Gjakovë
BKT
Lajme

Arrestohen dy të dyshuar për grabitjet e dy argjendarive në Gjakovë

V.Th / RTKLive

Dy persona janë arrestuar të martën nën dyshimin se janë të përfshirë në dy grabitje të armatosura të argjendarive në Gjakovë, të kryera më 5 dhe 16 nëntor.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet intensive, përfshirë analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë, kanë mundësuar identifikimin e të dyshuarve dhe të veturës që dyshohet se është përdorur gjatë grabitjeve.

Grabitja e parë kishte ndodhur më 5 nëntor, rreth orës 17:15, në rrugën “Nënë Tereza”, ku dy persona të maskuar dhe të armatosur kishin marrë nga një argjendari ari në vlerë prej rreth 30 mijë eurosh dhe 2 mijë euro para të gatshme.

Ndërkaq, grabitja e dytë ishte kryer më 16 nëntor, rreth orës 16:50, në rrugën “Izet Hima”. Dy persona të maskuar dhe të armatosur kishin hyrë në një argjendari, ku njëri dyshohet se ishte i pajisur me armë të gjatë të tipit AK-47, ndërsa tjetri me çekan, me të cilin kishte thyer vitrinën dhe kishte marrë stoli ari.

Gjatë kësaj grabitjeje, një qytetar ishte plagosur në këmbën e djathtë, pasi njëri nga të dyshuarit kishte shtënë me armë zjarri, kur viktima kishte tentuar t'ia merrte armën.

Policia ka njoftuar se më 17 nëntor, Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjakovë, në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë dhe patrullat policore, ka kryer bastisje në pronën e të dyshuarit A. U., me banim në komunën e Deçanit. Aty është gjetur vetura që dyshohet se është përdorur në grabitje, një armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme parash.

Kontroll është kryer edhe te i dyshuari tjetër, L. I., po ashtu nga komuna e Deçanit, ku janë gjetur prova që lidhen me rastin.

Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar 7 mijë e 330 euro dhe 100 dollarë, një veturë Golf 7, një sasi ari, dy telefona mobilë dhe veshmbathje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve.

Policia ka bërë të ditur se operacioni është ende në zhvillim dhe se veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë kompetente.

Sveçla: Arrestohen dy të dyshuarit për grabitjen në Gjakovë

Dy persona të dyshuar për grabitjen e armatosur të kryer të hënën në mesditë në Gjakovë, gjatë së cilës u plagos një qytetar, janë arrestuar të martën.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se të dyshuarit janë identifikuar mbrëmjen e së hënës, falë hetimeve të përbashkëta të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokurorisë.

“Dy të dyshuarit janë arrestuar, ndërsa të njëjtëve u janë sekuestruar edhe armët e krimit dhe sasi e konsiderueshme e parave”, ka bërë të ditur Sveçla.

Ai ka vlerësuar punën e institucioneve të sigurisë dhe ka thënë se arrestimi dëshmon profesionalizmin dhe përkushtimin e Policisë së Kosovës.

“Askush që kryen vepra kriminale nuk mund t’i shmanget drejtësisë. Çdo kryes do të identifikohet dhe do të japë përgjegjësi para organeve të drejtësisë”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka theksuar se sundimi i ligjit dhe mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve mbeten të panegociueshme.


MË SHUME NGA Lajme