Zulfaj: Kosova ka shënuar progres, por mbetet pa statusin e vendit kandidat për BE
G.K/RTKlive
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se Kosova ka shënuar përmirësime në pesë tregues ndërkombëtarë, por vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Përmes një postimi në platformën X, Zulfaj ka thënë se progresi i Kosovës është i matshëm, duke iu referuar një grafiku të publikuar bashkë me reagimin e tij.
“Kjo është ajo që kryeministri Kurti nënkupton kur thotë: ‘Statusi i Kosovës në procesin e anëtarësimit në BE nuk pasqyron progresin e Kosovës’”, ka shkruar Zulfaj.
Sipas grafikut krahasues të titulluar “Zgjerimi i bazuar në merita”, të publikuar nga vetë kryenegociatori, Kosova ka shënuar përmirësime në sundimin e ligjit, liritë civile dhe politike, luftën kundër korrupsionit, lirinë e shtypit dhe zgjedhjet.
Në treguesin e sundimit të ligjit, Kosova ka kaluar nga 54 në 56 pikë, ndërsa në atë të lirive civile dhe politike, nga 43 pikë në vitin 2014 në 61 pikë në vitin 2026.
Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, Kosova ka kaluar nga vendi i 112-të në vitin 2011 në vendin e 76-të në vitin 2025, duke u ngritur për 36 pozita.
Ndërkaq, në indeksin e lirisë së shtypit, Kosova ka kaluar nga vendi i 92-të në të 84-tin, ndërsa në treguesin e demokracisë zgjedhore, nga 53 në 63 pikë.
“Progresi i Kosovës është i matshëm. Në pesë tregues ndërkombëtarë që përfshijnë sundimin e ligjit, liritë demokratike, luftën kundër korrupsionit, lirinë e shtypit dhe zgjedhjet, Kosova ka shënuar përmirësime gjatë periudhave përkatëse të paraqitura”, ka theksuar Zulfaj.
Ai ka rikujtuar se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, por ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat.
“Progresi duhet të njihet. Reformat duhet të shpërblehen. Zgjerimi i bazuar në merita duhet të zbatohet për të gjithë. Kosova është e gatshme të ndërmarrë hapin e radhës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka përfunduar Zulfaj. 























