Gjykata në Beograd nuk tregon nëse Milan Radoiçiq u paraqit në polici më 15 nëntor
RTKlive
Gjykata e Lartë në Beograd nuk ka dhënë përgjigje nëse Milan Radoiçiq është paraqitur në stacionin policor të Savski Venacit më 15 nëntor, ashtu siç e obligon masa e shqiptuar ndaj tij në kuadër të hetimeve për sulmin e armatosur në Banjskë.
Në një përgjigje për televizionin N1, gjykata ka thënë se është duke përcjellë zbatimin e masës dhe se, në bashkëpunim me organet kompetente, po ndërmerr të gjitha veprimet e parapara për të kontrolluar nëse Radoiçiq po e respekton këtë detyrim.
Megjithatë, institucioni nuk ka sqaruar nëse ai është paraqitur të dielën në polici, ndërsa N1 ka bërë të ditur se pret përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Radoiçiq, i cili është i dyshuar në rastin e Banjskës, është i obliguar të paraqitet në stacionin policor dy herë në muaj, përkatësisht më datat 1 dhe 15. Atij i është ndaluar largimi nga vendbanimi pa lejen e gjykatës, ndërsa i është marrë përkohësisht pasaporta serbe.
Dyshimet për vendndodhjen e tij janë shtuar pasi ish-inspektori i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), Milan Zvezdanoviq, deklaroi për N1 se, sipas informacioneve jozyrtare që kishte, Radoiçiq ishte larguar nga Serbia dhe kishte shkuar në Rusi.
Disa ditë më parë, Gjykata e Lartë kishte konfirmuar se Radoiçiq ishte paraqitur në polici më 1 nëntor, por nuk kishte dhënë informacione nëse ai kishte kërkuar leje për t’u larguar nga Serbia.
Milan Radoiçiq është nën hetime në Serbi për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa humbën jetën edhe tre sulmues serbë.
Ai kishte pranuar publikisht, përmes avokatëve të tij, se e kishte organizuar dhe drejtuar grupin e armatosur që mori pjesë në sulm. Pas ngjarjes, Radoiçiq kishte dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe.























