Jagxhiu: Zgjerimi i eKosova, prioritet i transformimit digjital
G.K/RTKlive
Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka marrë pjesë në një diskutim mbi qeverisjen digjitale dhe transformimin e administratës publike, në kuadër të International Strategy Forum – Kosovo 2026.
Jagxhiu bëri të ditur se gjatë diskutimit ka prezantuar progresin dhe prioritetet e Kosovës në transformimin digjital, përfshirë zgjerimin e platformës eKosova dhe modernizimin e shërbimeve publike.
“Gjatë diskutimit, u ndala te progresi dhe prioritetet e Kosovës në transformimin digjital, zgjerimi i platformës eKosova, modernizimi i shërbimeve publike dhe kalimi nga procedurat tradicionale në shërbime më të thjeshta, më të integruara dhe më të qasshme për qytetarët”, ka shkruar Jagxhiu.
Ai tha se është diskutuar edhe për rëndësinë e sovranitetit digjital, sigurinë e infrastrukturës kritike, zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.
Sipas tij, në forum kanë marrë pjesë të rinj dhe profesionistë nga rreth 40 vende të botës, me të cilët janë shkëmbyer perspektiva mbi të ardhmen e qeverisjes digjitale dhe rolin e teknologjisë.
“Shkëmbime të tilla janë të rëndësishme për të ndarë përvojën e Kosovës, për të mësuar nga perspektiva ndërkombëtare dhe për të ndërtuar bashkëpunime që kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm digjital të vendit”, ka theksuar Jagxhiu.
International Strategy Forum është program i Special Competitive Studies Project (SCSP), që bashkon liderë të rinj nga fusha të ndryshme për të diskutuar mbi gjeopolitikën, teknologjinë dhe demokracinë.























