Lista Studentore publikon programin, Kosovën e konsideron pjesë të Serbisë
RTKlive
Lista Studentore në Serbi ka publikuar programin e saj politik për politikën e jashtme dhe interesat kombëtare, në të cilin zotohet të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Ajo gjithashtu paralajmëron rishikimin e marrëveshjeve të arritura nga autoritetet e mëparshme të Serbisë.
Në programin e publikuar, Lista Studentore thotë se do të angazhohet për ruajtjen e Kosovës në përbërje të Serbisë, duke iu referuar Kushtetutës serbe dhe Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Do të kundërshtojmë vazhdimisht pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të të ashtuquajturës Republikë e Kosovës dhe nuk do të lejojmë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare”, thuhet në program.
Një pjesë e rëndësishme e qëndrimeve të saj lidhet edhe me marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut me Kosovën.
Lista Studentore paralajmëron se të gjitha marrëveshjet duhet t’i nënshtrohen vlerësimit të kushtetutshmërisë në Serbi, ndërsa zotohet për ndjekjen e përfaqësuesve të pushtetit të mëparshëm për vepra të mundshme penale që lidhen me arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve që i konsideron jokushtetuese dhe në dëm të Serbisë.
Për serbët në Kosovë, programi parasheh angazhimin për lidhjen administrative të vendbanimeve me shumicë serbe me komunat përkatëse, si dhe për arritjen e autonomisë sa më të madhe ndaj institucioneve të Prishtinës.
Dokumenti parasheh gjithashtu mbrojtjen e institucioneve arsimore, shëndetësore, sociale dhe kulturore serbe në Kosovë, si dhe të trashëgimisë fetare dhe pronës së Kishës Ortodokse Serbe.
Kundër sanksioneve ndaj Rusisë
Në pjesën që trajton marrëdhëniet ndërkombëtare, Lista Studentore shprehet kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.
Ajo zotohet se Serbia do ta ruajë qëndrimin e saj parimor për mosvendosjen e masave kufizuese ndaj Federatës Ruse, duke argumentuar se sanksionet nuk janë domosdoshmërisht instrument për zgjidhjen e sfidave politike dhe të sigurisë.
Programi parasheh gjithashtu ruajtjen e partneritetit tradicional me Rusinë, përfshirë bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për çështjet që lidhen me integritetin territorial të Serbisë.
Marrëdhënie të mira me SHBA-në dhe Kinën
Lista Studentore synon zhvillimin e marrëdhënieve të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kinën, krahas ruajtjes së partneriteteve ekzistuese ndërkombëtare.
Në program, politika e jashtme përshkruhet si parimore, e balancuar dhe pragmatike, me theks në mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare të Serbisë.
Qëndrimi për Izraelin dhe Palestinën
Në pjesën për Lindjen e Mesme, Lista Studentore përdor një formulim të ashpër ndaj Izraelit, duke e cilësuar veprimtarinë e tij si shkatërrim të Palestinës.
Qëndrimet e publikuara tregojnë se, në çështjet kryesore të politikës së jashtme, Lista Studentore synon të ruajë një qasje tradicionale të politikës shtetërore serbe, veçanërisht në raport me Kosovën dhe Rusinë. / Burimi:nova.rs























