Aleanca kërkon kthimin e rekomandimit për shkarkimin e anëtarëve të KPMSHCK-së
BKT
Lajme

Aleanca kërkon kthimin e rekomandimit për shkarkimin e anëtarëve të KPMSHCK-së

Sh.Ç/RTKlive

Aleanca ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës që të kthejë mbrapsht rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

Përmes një komunikate për media, Aleanca ka reaguar ndaj nismës së Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e anëtarëve të këtij institucioni të pavarur, duke e cilësuar procesin si të paarsyetuar dhe në kundërshtim me procedurat parlamentare.

Në komunikatë thuhet se deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, në cilësinë e Nënkryetares së Parë të Komisionit për Administratë Publike, ka kundërshtuar rekomandimin për shkarkim, duke kërkuar që Kryesia e Kuvendit ta kthejë atë për rishqyrtim.

“Është skandaloze që Vetëvendosje, me votat e veta në Komision, kërkon dhe rekomandon shkarkimin e anëtarëve të një institucioni të pavarur, pa arsyetim dhe pa respektuar procedurat parlamentare. Kjo nuk është reformë, por tentativë për kapje politike të institucioneve të pavarura dhe të administratës shtetërore”, thuhet në deklaratën e deputetes Bytyqi, të përcjellë në komunikatën e Aleancës.

Më tej, Aleanca thekson se institucionet shtetërore nuk janë pronë e asnjë partie politike dhe kërkon që, sipas saj, të ndalet ndërhyrja politike në institucionet e pavarura.

Aleanca i bën thirrje Kryesisë së Kuvendit që ta kthejë rekomandimin dhe të sigurojë respektimin e procedurave parlamentare.


MË SHUME NGA Lajme