Qerkini: Mosllogaritja e paraburgimit në dënimin e Thaçit, në kundërshtim me ligjin
BKT
Lajme

Qerkini: Mosllogaritja e paraburgimit në dënimin e Thaçit, në kundërshtim me ligjin

K. K. / RTKlive

**Avokati Artan Qerkini ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Speciale për të mos ia llogaritur Hashim Thaçit kohën e kaluar në paraburgim në dënimin prej 17 muajsh është në kundërshtim me ligjin. Në emisionin “RTK Prime”, ai ka theksuar se Thaçi ka kaluar 23 muaj në paraburgim për rastin e pengimit të drejtësisë, gati gjashtë muaj më shumë sesa dënimi i shqiptuar.**

“Është thjesht në kundërshtim me ligjin, sepse ligji e thotë qartë që koha e kaluar në paraburgim i llogaritet në dënim”, ka deklaruar Qerkini.

“Zoti Thaçi është në paraburgim për rastin e ashtuquajtur ‘pengimi i drejtësisë’ për 23 muaj. Domethënë, gati gjashtë muaj më shumë sesa që është dënuar. Dhe kjo patjetër se duhet t'i llogaritet”, ka thënë ai.

Qerkini ka kritikuar edhe arsyetimin e gjykatës, duke thënë se çështja është e qartë në aspektin juridik.

“Kjo është shumë e thjeshtë. Nuk është ndonjë problem i ndërlikuar juridik. Është e bardha mbi të zezë”, është shprehur avokati.

Duke iu referuar kërkesës së Prokurorisë, Qerkini ka thënë se kërkesat e saj nuk e përcaktojnë atë që parasheh ligji.

“Prokuroria mund të kërkojë çfarëdo, mirëpo ne po flasim se çka parasheh ligji”, ka deklaruar ai.

Qerkini ka ngritur edhe çështjen e zbatimit të Kodit Penal të Kosovës nga gjyqtarët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara.

“Ndoshta gjyqtarët ndërkombëtarë kanë problem me zbatimin e Kodit Penal të Kosovës, mirëpo ai është problem i tyre”, ka theksuar Qerkini.


MË SHUME NGA Lajme