Ten Haag jep arsyet e fillimit të keq: Do të përmirësohemi
B. Halimi / RTKlive
Manchester Unitedi e ka nisur në mënyrë katastrofale sezonin e ri në Ligën Premiere, duke humbur ndaj Brighton dhe Brentford, teksa sonte “Djajtë e Kuq” i pret derbi i madh ndaj Liverpoolit.
Trajneri Eric Ten Haag , ka folur para kësaj ndeshje për arsyet e nismës së keqe të Unitedit. “Kemi luajtur një para-sezon të mirë, por më pas Martial u lëndua , Ronaldo nuk ishte i përgatitur siç duhet... Na mungonte edhe një mesfushor mbrojtës. Në ndeshjen e parë titullarë ishin dy qendërmbrojtës që nuk luajtën bashkë... Sezoni është i gjatë, nuk do të dorëzohemi. Rezultatet tona do të jenë shumë më të mira. Kam parë në stërvitje se ne mund ta bëjmë këtë”, tha Ten Haag.
Ai foli edhe për dënimin që u dha lojtarëve për të vrapuar 14 kilometra pas humbjes së rëndë ndaj Brentfordit me rezultat 4:0.
“Ishte një vendim që e mora gjatë ndeshjes. Të gjithë e panë se ne nuk po luanim në nivelin që duhet të ishte Manchester United. Jam këtu për të ndryshuar gjërat. Të gjithë duhet ta kuptojnë peshën e fanellës që kanë veshur. Shpresoj që lojtarët të jenë të zemëruar me veten e tyre dhe do të paraqiten ashtu siç presin të gjithë prej tyre”, tha strategu holandez.























