UEFA heton 20 klube – Barça, Juve e PSG kërcënohen me sanksione
B. Halimi / RTKlive
UEFA ka hapur një hetim kundër 20 klubeve për shkelje të "Fair Play"-it financiar për sezonin 2020/21.
"Fair-play" financiar, si rregull, ekziston prej vitesh, por UEFA nuk e zbaton atë në mënyrë të barabartë për të gjithë. Sa herë që duhet të sanksionohet një nga klubet e pasura, “ngritet pluhur”, e më pas pas ankesës së klubit, gjithçka rregullohet sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Shembulli i fundit është Manchester City, tre vjet më parë, kur klubi u dënua për dy vjet pjesëmarrje në Kupat e Evropës. Klubi bëri ankesë, pas së cilës UEFA e “harroi” të gjithë rastin.
Tani, për të njëjtat arsye, UEFA po heton rreth 20 klube, 10 prej të cilave presin sanksione, dhe në mesin e tyre janë: Barcelona, PSG, Juventus, Roma, Marseille e Inter.
Sanksionet për skuadra si Paris Saint-Germain dhe Marseille mund të kenë natyrë ekonomike, ndërsa disa klube pritet të vuajnë dënime më të rënda. Konkretisht, tashmë Barcelona po përballet me eliminimin nga Kupat e Evropës.
Duhet theksuar se ky është sezoni i fundit në të cilin zbatohen rregullat aktuale të "Fair Play"-it financiar.
Nga viti 2023, UEFA do të prezantojë masa më radikale për shpenzimet në përqindje të kufizuar për pagat e lojtarëve, transferimet dhe komisionet menaxheriale.























