Kurti e Haxhiu ia dorëzojnë Konjufcës Projektligjin për Vettingun-Video
BKT
Donika Sherifi/ RTK
Lajme

Kurti e Haxhiu ia dorëzojnë Konjufcës Projektligjin për Vettingun-Video

Afet BELA& Donika Sherifi/ RTK

(E plotësuar, ora 10:55) Pas konferencës për media Kurti e Haxhiu ia dorëzuan Konjufcës Projektligjin per Vettingun.

Reforma në drejtësi, me theks vettingu në sistemin e drejtësisë, janë prioritet i Qeverisë dhe shtetit, theksoi Kryeministri i Republikës së Kosovës në takimin me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca. Pas një pune intensive dhe pas konsultimeve me grupet parlamentare, Kryeministri Kurti, së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dorëzuan në Kuvend dosjen e dokumenteve për vettingun.

Versioni i dorëzuar i draftit të amendamenteve kushtetuese është në përputhje të plotë me rekomandimet e dala nga Opinioni i Komisionit të Venecias, ndërsa në pako është përfshirë edhe një plan i ideuar për ndryshimet ligjore, që duhet të realizohen bashkë, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese ose paralelisht me to.

Gjatë takimit u theksua se reforma në drejtësi mundëson kthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe fenomeneve tjera negative. Ndërsa vettingu mundëson, që në sistemin e drejtësisë të jenë vetëm ata që kanë integritet të lartë moral dhe profesional, dhe, që mund ta justifikojnë pasurinë e tyre. U ritheksua se Kuvendi i Kosovës do ta ketë mbështetjen e plotë të  Qeverisë dhe se bashkërisht do të tejkalojnë çdo sfidë me përgjegjësi dhe me profesionalizëm.​

 Konjufca: Vettingu reformë e domosdoshme për sundimin e ligjit

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka shkruar në "Facebook", se Procesi gjithëpërfshirës i vetingut, siç e kemi theksuar njëzëri, është një reformë e domosdoshme për sundimin e ligjit. Kjo është po ashtu një kërkesë shoqërore e kahmotshme për Kosovën.May be an image of 3 people, people standing, suit and indoor

" Sot e pata kënaqësinë t'i takoj Kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Albin Kurti dhe Ministren e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, të cilët e dorëzuan në Kuvend dosjen me dokumentet përkatëse për procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë. Procesi gjithëpërfshirës i vetingut, siç e kemi theksuar njëzëri, është një reformë e domosdoshme për sundimin e ligjit. Kjo është po ashtu një kërkesë shoqërore e kahmotshme për Kosovën. Krijimi, votimi dhe implementimi i tij është një hap jetik për mbarëvajtjen e shtetit dhe njëra nga reformat më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë që e ngrit efikasitetin dhe profesionalizmin. Si i tillë, procesi i vetingut do ta forcojë sistemin e drejtësisë, i cili ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës", ka shkruar ai.

Kurti: Jemi angazhuar për reformë në drejtësi dhe vetting në Kosovë-Video

(E plotësuar, ora 10:15) Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha që nga themelimi jemi angazhuar për reformë në drejtësi dhe vetting.

Ai në një konferencë për media tha se nuk ka alternativë nga vettingu në sistemin e drejtësisë, raporton RTKlive..

Dosja e Vettingut dërgohet në Kuvend, shkak rasti i dhunimit të 11 vjeçarës

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës ne jemi angazhuar që nga fillimi për reformën në drejtësi, si thelb të qeverisjes sonë, e cila edhe është themeluar nga fitorja e cila bazohej në parullën kryesore “Punësim dhe drejtësi” apo “Drejtësi dhe punësim”. Andaj, këtu jemi bashkë me Ministren e Drejtësisë, znj.Albulena Haxhiu, që të ju informojmë lidhur me reformën në drejtësi dhe vettingun në sistemin gjyqësor, në veçanti. Gjatë kësaj jave, na tronditi të gjithëve lajmi mbi krimin që për viktimë kishte vajzën 11 vjeçare. Në rastet si këto i humb kuptimi zbatimit të respektimit të drejtave të njeriut, respektimit të ligjit, ndjekjes së krimit, ushtrimit të pozitave të larta shtetërore që kanë për obligim parandalimin, përkatësisht ndjekjen e atyre që kërcënojnë sigurinë, mirëqenien dhe integritetin fizik të qytetarëve”, tha ai, raporton RTKlive.

Ai ka theksuar se kur kuptojmë që kryesi i veprës penale ka qenë i dënuar për vepra penale e gjendet i lirë, kur dështon zinxhiri institucional përgjegjës për ndjekjen penale – policia, prokuroria dhe gjykata, dështon drejtësia - kurse faturën e paguan qytetari.

“Fuqia e cila vie nga pozita e gjyqtarit dhe prokurorit, në vete ngërthen përgjegjësi të madhe ndaj qytetarit. Për të garantuar të drejtat e secilit e për të fuqizuar sundimin e ligjit, gjyqtari vepron me urtësi e me maturi. Vepron me profesionalizëm - andaj, vendimet e tij apo të saj edhe mbrohen nga vetë shteti përmes pavarësisë së garantuar me Kushtetutë dhe me ligj. Gjyqësori ynë, përkundër të gjitha garancive kushtetuese, ngjanë sikur mundohet ta dëshmojë të kundërtën. I akuzuar e i dënuar për shumë vepra penale, dhunuesi ec i lirë nëpër rrugët e Prishtinës. Dhunuesi lirohet pas 8 muajsh burgim. Dhunuesi nuk rehabilitohet. Dhunuesi përsëritë veprën. E madje dhunuesi edhe vret”, tha Kurti.

Sipas tij nuk ka alternativë ndaj vettingut në sistemin gjyqësor e prokurorial. Këtë e kuptojnë edhe vetë akterët e këtij sistemi, e edhe ata më skeptikët për vettingun.

“Duhet përmendur një gjë: demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat fundamentale janë baza mbi të cilën ndërtohet çdo gjë tjetër. Dhe sistemi i kontrollit dhe balancimit ndërmjet pushteteve, urtësia e votuesve, qytetarët si fuqi sovrane e cila e kupton që duhet ta mbajë e ta ruaj një demokraci të shëndoshë, janë parametrat e politikave për ndërtimin e shoqërisë dhe shtetit demokratik. Mbi këtë urtësi e besim të qytetarit, ne edhe kemi fituar qeverisjen tonë, duke marrë përsipër obligimin që këtë themel ta mbrojmë. Mbi këtë kemi ndërtuar idenë e vettingut duke gjetur bazë në parimet më të mira ndërkombëtare, të pasqyruara në Opinionin e Komisionit të Venecias. Në qëllim të koordinimit me të gjithë akterët politik në vend, kam thirr takime me liderët e opozitës, ashtu që puna e mëtutjeshme në procesin e vettingut, të arrijë konsenzus të plotë. Në përjashtim të Lidhjes Demokratike të Kosovës të gjithë e kanë pranuar ftesën dhe kemi zhvilluar takime”, tha Kurti.

 Sipas tij tani, kur punën tonë e kemi bërë me profesionalizëm e në koordinim me akterët politik, duke kuptuar që vettingu është produkt i nevojave të shoqërisë, pra shtetit, procesin e vendosim në duar të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Besimi në drejtësi ngërthen në vete besimin në shtet – që ky i fundit është në funksion të mbrojtjes së të drejtave e lirive themelore, pra në shërbim të qytetarit. Duke kuptuar këtë, kemi vendosur reformën në drejtësi në vendin meritor, prioritet të Qeverisë e të shtetit. Gjatë 1 viti e gjysmë kemi miratuar politikën e re të funksionimit të sistemit prokurorial përmes Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, e kemi finalizuar atë për Prokurorin e Shtetit dhe Prokurorinë Speciale. Për më tepër, kemi funksionalizuar Gjykatën Komerciale, e kemi votuar në parim Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Qasja jonë aq sa sistematike, ka sulmuar drejtpërdrejt politikat e gabuara e ka vendosur parime të mirëfillta, duke e vënë drejtësinë në shërbim të qytetarit”, tha ai.

Duke shtuar se puna e nisur nuk mund të mbarojë pa vettingun dhe sigurimin që: institucionet e parandalojnë krimin; gjykatat shqiptojnë dënime të merituara; burgjet rehabilitojnë të dënuarit kurse qytetarët kthejnë besimin në rendin dhe ligjin, e ndjehen të sigurt - gjë që e ka për detyrë ta garantojë shteti. Për këtë mbetemi të përkushtuar.

Sipas tij mbi 200 gjykatës kanë shqiptuar dënim me kusht, gjobë ose parashkrim të lëndës për dhunë seksuale, prej këtyre rasteve kanë qenë 85% viktima të mitura, rreth 140 prokurorë nga 200, kanë lejuar parashkrimin për këto raste.

Haxhiu: Në vazhdimësi jemi dëshmitar të neglizhencës e mosveprimit e papërgjegjshmërisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se po e dorëzojnë në kuvend dosjen e dokumenteve të vettingut duke përfshirë amandamentet kushtetuese, projektligji për vetingun koncept dokumentin dhe dokumentin shpjegues, raporton RTKlive.

“Në vazhdimësi jemi dëshmitar të neglizhencës e mosveprimit dhe papërgjegjshmërisë. Ata kanë rrogat më te mëdha, po për shkak të mospunës se tyre po vriten gratë e po dhunohet të miturat, Kuvendi do ta ketë mbështetje e plote të qeverisë dhe ministrisë së drejtësisë”, tha ajo.

Kurti dhe Haxhiu sot mbajnë konferencë për media.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot mbajnë konferencë për media

.Konferenca fillon në ora 10:00.


MË SHUME NGA Lajme