Gështenjat rrezikojnë të thahen|VIDEO
Islam Haxhiu| RTK
Gështenja e ëmbël, e njohur me emrin shkencor Castanea sativa, e cila shtrihet në masivin natyror në pjesën perëndimore të Kosovës, përbën një nga pasuritë e rëndësishme natyrore të Rrafshit të Dukagjinit.
Për banorët e kësaj treve, gështenja dikur ishte një nga burimet kryesore të jetesës. Kështu kujton Asllan Demiri nga Morina, i cili këto ditë është drejt përfundimit të vjeljes së këtij fryti.
“Përpara ne, sidomos fshati i Morinës, kemi jetuar nga gështenjat. Të gjitha shpenzimet, shumicën e të ardhurave i kemi siguruar prej tyre. Gështenja përdorej edhe për bukë, por edhe për t’i pritur mysafirët. Vitet e fundit nuk kemi pasur nevojë t’i shkundim, sepse erërat e forta që po fryjnë i rrëzojnë vetë në tokë. Kështu që nuk kemi nevojë të ngjitemi nëpër drunj për t’i shkundur, pasi janë shumë të lartë dhe kjo paraqet edhe rrezik. Për më tepër, nuk po mbesin shumë gështenja nëpër degë, pasi shumica po bien vetë", tha për RTK, Asllan Demiri, fermer nga Morina e Gjakovës.
Për shkak të rëndësisë që ka kjo pemë për banorët e kësaj treve, të cilët e konsiderojnë si një dhuratë të çmuar të natyrës, edhe Komuna e Junikut i kushton vëmendje të veçantë ruajtjes dhe promovimit të saj. Në kuadër të aktiviteteve të përvitshme, organizohet edhe Dita e Gështenjës, ku banorët prezantojnë këtë fryt dhe produkte të tjera bujqësore.
“Është një fryt që na e ka bekuar Perëndia, neve dhe rrethinën. Nuk kemi pasur nevojë as ta mbjellim, as ta ujitim e as ta prashitim. Është njëri prej drunjve më jetëgjatë, por edhe dru teknik", tha ai.
“Me drurin e gështenjës kemi ndërtuar shtëpi, sepse është shumë i qëndrueshëm. Gështenja ka shërbyer për shumë gjëra, edhe në vend të bukës. Ndërsa nga shitja e saj kemi pasur fitime jashtëzakonisht të mira gjatë gjithë vitit", tha Islam Qestaj, fermer nga Juniku.
“Gjatë këtyre viteve kemi pasur kujdes të shtuar edhe për gështenjën, në mënyrë që ta ruajmë këtë fryt. Gështenja ka një traditë shumë të lashtë, pasi familjet tona e kanë mbledhur ndër breza dhe përmes saj e kanë pasur jetën pak më të lehtë", tha Ruzhdi Shehu, kryetar i Komunës së Junikut.
Megjithatë, pavarësisht interesimit dhe përpjekjeve të institucioneve lokale, si dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare për mbrojtjen e gështenjës nga sëmundjet, tharja e drunjve po vazhdon me ritëm shqetësues.
Një fenomen ky që rrezikon jo vetëm pasurinë natyrore të kësaj treve, por edhe një traditë të trashëguar ndër breza.























