Çollaku pjesë e manifestimit për 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në Zagreb
BKT
Lajme

Çollaku pjesë e manifestimit për 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në Zagreb

A.B/RTKLive

Kryetari i Unionit të Shqiptarëve në Republikën Kroacisë, Esad Çollaku, mori pjesë në manifestimin festiv të organizuar nga Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare për Prefekturën e Zagrebit, me rastin e Ditës së Flamurit dhe 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë manifestim u prezantua një program i pasur artistik dhe kulturor shqiptar, ku performuan SH.K.A. “Xheladin Zeqiri” nga Tetova, Shoqata Kulturore Shqiptare në Kroaci “Shkëndija” dhe KUD “Mičevec”. Përmes këngëve, valleve dhe muzikës sonë të bukur folklorike, artistët sollën para të pranishmëve traditat, kulturën dhe shpirtin e pasur shqiptar, duke krijuar një atmosferë të veçantë festive dhe atdhetare.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, znj. Donika Hoxha, përfaqësuesi i Ambasadës së Republikës së Kosovës, z. Sefadin Kuqi, kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, si dhe shumë personalitete, përfaqësues të institucioneve dhe bashkatdhetarë nga vise të ndryshme të Kroacisë.

Gjatë këtij manifestimi, Kryetari Çollaku theksoi se ky përvjetor i Pavarësisë së Shqipërisë po na gjen në një periudhë të ndjeshme dhe jo të lehtë për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për shkak të zhvillimeve në Gjykatën Speciale në Hagë dhe procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai shprehu shqetësimin dhe qëndrimin e tij lidhur me atë që e cilësoi si padrejtësi ndaj udhëheqësve të UÇK-së, duke vënë në pikëpyetje paanshmërinë e procesit dhe duke theksuar se, sipas tij, ky proces është i ndikuar politikisht dhe i ndërtuar mbi pretendime të përgatitura në qarqe të Beogradit.

Në fjalën e tij, z. Çollaku bëri edhe një krahasim domethënës historik, duke theksuar se ne shqiptarët, kur festojmë Ditën e Flamurit, Pavarësinë e Shqipërisë dhe kujtojmë figurën e Ismail Qemalit, duhet të reflektojmë edhe mbi rëndësinë e drejtësisë historike.

Ai shtroi pyetjen se si do të ishte trajtuar sot figura e Ismail Qemalit, nëse ai do të gjykohej për veprën e tij atdhetare, ndërsa sot, sipas tij, po përballemi me një proces të padrejtë ndaj Hashim Thaçit, njërit prej figurave kryesore të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Liria, pavarësia dhe drejtësia janë vlera të pandashme. Ne mund të festojmë me krenari historinë tonë, të nderojmë flamurin dhe figurat tona kombëtare, por nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj zhvillimeve që prekin dinjitetin, historinë dhe të ardhmen e popullit shqiptar.


MË SHUME NGA Lajme