Të martën, Specialja shpall aktgjykimin në rastin “Administrimi i Drejtësisë”
BKT
Lajme

Të martën, Specialja shpall aktgjykimin në rastin “Administrimi i Drejtësisë”

A.B/RTKLive

Të martën, më 17 nëntor mbahet seanca ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu, për veprën “pengim i drejtësisë”, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Sipas njoftimit seanca do të fillojë në orën 10:00 dhe kërkohet të jenë të pranishëm fizikisht në seancë edhe të akuzuarit.

Aktakuza kundër pesë të akuzuarve u konfirmua më 29 nëntor 2024 dhe u bë publike më 6 dhjetor 2024. Aktakuza e konfirmuar e ndryshuar u dorëzua më 16 prill 2025.

Sipas Aktakuzës, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave më vete dhe të paprivilegjuara në objektin e paraburgimit, Hashim Thaçi u dha Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut informacion konfidencial për dëshmitarë të Prokurorisë, dhe, së bashku me ta, si dhe me individë të tjerë të paakuzuar, tentoi të ndikonte në dëshmitë e disa dëshmitarëve me qëllim që të pengonte zyrtarët e DHSK-së në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare. Në Aktakuzë gjithashtu pretendohet se z. Thaçi ra në marrëveshje me z. Kuçi që ky i fundit të kontaktonte dëshmitarë të Prokurorisë në gjykimin për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, në kundërshtim me një urdhër që e ndalontë një veprim të tillë, përveçse në përputhje me disa procedura të caktuara. Gjithashtu pretendohet se z. Kuçi ka kontaktuar edhe një dëshmitar tjetër të Prokurorisë me iniciativën e vet.

Kundër Hashim Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu janë akuzuar secili me nga një akuzë për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe me një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndaj Hajredin Kuçit janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Më 5 dhe 6 dhjetor 2024, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara. Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit, ndërsa Hajredin Kuçi u thirr për paraqitjen e parë të tij në gjykatë. Më 3 dhjetor 2025, Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes urdhëroi lirimin me kusht të Isni Kilajt, që u pasua nga urdhri për lirimin me kusht të Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut më 3 shkurt 2026.

Gjykimi filloi më 27 shkurt 2026, dhe paraqitja e provave u bë nga 27 shkurti deri më 5 gusht 2026. Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes e deklaroi çështjen gjyqësore të mbyllur më 14 shtator 2026, pas deklaratave përmbyllëse. 

 


MË SHUME NGA Lajme